Vrasja në Vlorë, policët në fshat për të shmangur hakmarrjen

Fshati Gjorm në Vlorë kaloi një natë të trazuar. Pas vrasjes se një të riu në lokalin e fshatit dhe vetëvrasjes së autorit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë zbarkuan atje për të parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit mes dy familjeve.
Në lokalin e fshatit nisi grindja që përfundoi me dy të vdekur. Artjon Shenaj është ftuar nga viktima Mariglen Memaj që të ulet në tryezën ku ai dhe një grup të rinjsh po pinin rreth sobës. 33-vjeçari Shenaj nuk ka pranuar që të ulej në të njëjtën tavolinë, duke qëndruar pak çaste në lokal dhe ka dalë, duke shkuar në banesën e tij nga ku është kthyer me pistoletë në dorë.
Ai ia ka drejtuar 35-vjeçarit Mariglen Memaj. U ka kërkuar të tjerëve të largohen dhe e ka qëlluar 7 herë. Pak minuta më vonë dhe 100 m larg lokalit, te shtëpia e xhaxhait të tij, Shenaj kreu vetëvrasje.
Policia po punon për të zbardhur ngjarjen. Ka marrë në pyetje të afërm dhe miqtë e të dy personave, ndërsa po heton për aktivitetin e tyre jashtë vendit, pasi që të dy të rinjtë prej vitesh jetonin jashtë Shqipërisë.