Ballina Politikë Vasili: Skandali i 2 miliardë eurove prej muajsh në tavolinën e Ramës

Vasili: Skandali i 2 miliardë eurove prej muajsh në tavolinën e Ramës

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila vendosi në mënyrë unanime se qeveria shqiptare ka shkelur të drejtat e njeriut për rastin e shembjes së pallatit në Vlorë në vitin 2013 dhe duhet të dëmshpërblejë familjarët e dëmtuar me 13 milionë euro. Në një status në Facebook, Vasili thotë se, kryeministri ka gënjyer, pasi skandalin e ka pasur prej muajsh në tavolinë dhe qëllimisht s’ka lëvizur as gishtin. “Kryeministri gënjeu, skandalin e 2 miliardë eurove e ka prej muajsh në tavolinë. Skandalin e 2 miliardë eurove, që rrezikon të paguajë Shqipëria si pasojë e humbjes së gjyqeve për kontratat e prishura në mënyrë arbitrare nga qeveria, kryeministri e ka prej muajsh në tavolinë dhe qëllimisht s’ka lëvizur as gishtin. Ky gënjeshtar profesionist e mohon dhe nuk e pranon të vërtetën, që është në dritën e diellit. Këtë skandal monstruoz e kam denoncuar kohë më parë, pa qenë fare në opozitë, por si ministër i Drejtësisë në atë kohë ja kam përcjellë me shkrim me shkresë me Nr.Prot: 2357/1 datë: 10.04.2017 këtë shqetësim shumë të rëndë, që m’u bë prezent nga Avokati i Shtetit me shkresën e saj me Nr.prot 43/23 datë 06.04.2017. Këto janë faktet, që nuk i luan as topi dhe ky mashtrues ordiner, që kemi kryeministër le të guxojë të thotë të kundërtën. Avokatja e Shtetit, që ka kryer detyrën e saj nuk është emëruar nga unë, por nga vetë ai. Ndaj kryeministri mashtrues ta mbajë këtë përgjegjësi dhe boll ju përvodh fajit të pashmangshëm. Ai është përgjegjësi i vetëm dhe ai vetë do përgjigjet. Shumë pak kohë i ka mbetur” shprehet Vasili. Një nismë që nisi si hakmarrje politike e Ramës me shkatërrimin e një pallati me leje në Vlorë do t’u kushtojë shqiptarëve jo pak, por plot 13 milionë euro. Vendimi është vulosur nga Gjykata e Strasburgut, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dje, kjo gjykatë ka rrëzuar qeverinë Rama për çështjen e pallatit të shkatërruar në Vlorë në vitin 2013 për ndërtimin e ‘Lungomares’. Gjykata e Strasburgut ka vendosur në mënyrë unanime se, qeveria shqiptare ka shkelur të drejtat e njeriut dhe urdhëron qeverinë shqiptare të dëmshpërblejë familjarët e dëmtuar nga shembja e pallatit. Sipas vendimit, qeveria shqiptare duhet të paguajë 13 milionë euro për vendimin e shkatërrimit të një pallati banimi të pajisur me leje të rregullt. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut hap një precedent për çdo qytetar, prona e të cilit shkatërrohet në mënyrë të paligjshme nga qeveria. Kompleksi “Jon” në afërsi të Ujit të Ftohtë në Vlorë është rrafshuar përfundimisht pas marrjes së pushtetit nga Rama në vitin 2013. Shembja e pallatit shkaktoi shumë debate. Qeveria kishte dëmshpërblyer me 11.6 milionë euro pronarët e pallatit, por çështja u dërgua në Strasburg. Ky vendim i Gjykatës së Strasburgut hap një precedent të ri për çdo qytetar, të cilit prona i shkatërrohet nga shteti.

Exit mobile version