Studentët ngrihen në protesta kundër qeverisë më 24 janar

Lëvizja Për Universitetin‎ është duke përgatitur një protestë studentore kundër tarifave në fakultete. Grupe studentësh janë angazhuar ditët e fundit në fakultete të ndryshme, kryesisht të Universitetit të Tiranës dhe atij Politeknik, për të grumbulluar nënshkrime për peticionin, drejtuar qeverisë, me kërkesat e mëposhtme: – Të përgjysmohen tarifat studimore në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve; – Të hiqet barra financiare për çertifikimin e gjuhës së huaj; – Të hiqet pagesa dyfish e krediteve për provimet e mbartura; Ndërsa në Fakultetin Gjeologji Miniera është nënshkruar edhe një peticion i dytë: – për kthimin e godinës së fakultetit në pronësi të fakultetit. Deri më tani janë grumbulluar me mijëra nënshkrime për këto kërkesa të drejta e të realizueshme. Aksioni për nënshkrimin e peticionit do vijojë edhe këtë javë, dhe do të kulmojë me protestën e 24 janarit në orën 11:00, nga Korpusi drejt Kryeministrisë. Nga ana tjetër, një studim i prezantuar pak ditë më parë në Tiranë, zbuloi se korrupsioni është i pranishëm në Arsimin e Lartë në nivele shqetësuese dhe se një përqindje e lartë e studentëve ndihen nën presion për t’u bërë pjesë e aferave korruptive nga stafi akademik. Studimi i kryer nga OJQ-ja “Qëndresa Qytetare”, një organizatë e përqendruar te roli i shoqërisë civile në llogaridhënien e autoriteteve, u bazua te anketimi i 277 studentëve në fakultete të ndryshme në Tiranë, Elbasan dhe Durrës për të kuptuar nivelin, perceptimin dhe format e korrupsionit në këto universitete kryesore në Shqipëri. Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan kishte normën më të lartë të pranisë së korrupsionit (77 për qind), pasuar nga Universiteti i Tiranës (62 për qind) dhe ai i Durrësit (42 për qind), sipas pikëpamjeve të studentëve. Të anketuarit pohojnë se, forma më e përhapur e korrupsionit është pagesa në shkëmbim të notës, pasuar nga detyrimi për blerjen e librave të panevojshëm dhe së fundmi, nepotizëm dhe kërkesa për favore seksuale nga stafi akademik.