Rikthimi i Pogba

Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, përshëndeti Paul Pogba dhe tha se profili i ekipit të tij po ndryshonte për t’iu përshtatur mesfushorit francez. Pogba krijoi dy gola, duke ia lehtësuar fitoren 3-0 Manchester United ndaj Stoke City në “Old Trafford”, në Premier League, të hënën. Francezi ndërkombëtar, 24 vjeç, ka gëzuar një sezon të shkëlqyer, duke siguruar nëntë asiste dhe shënuar tre gola në 13 ndeshjet e luajtura në Premier League. Morinjo ishte plot falënderim për mesfushorin dhe tha se Manchester United mund të bëhet ekipi i Pogba.
“Ai ishte duke e qarkulluar topin fantastikisht mirë, me pasime të gjata, duke ndryshuar drejtimin dhe duke krijuar probleme për kundërshtarin, tha portugezi. Pogba kishte një ditë të shkëlqyer dhe nëse do të kishte shënuar nga goditja e lirë në fundin e lojës, do të ishte me të vërtetë një shpërblim për të. Unë mendoj se është i lumtur me mënyrën se si po luan ekipi. Ai është i lumtur, sepse ekipi po ndryshon profilin dhe profili po shkon më shumë në drejtimin e tij”, tha Murinjo. Pasi Pogba ndihmoi Antonio Valencian dhe Anthony Martial, Romelu Lukaku vulosi fitoren e Manchester United dhe i zhvendosi “Djajtë e Kuq” 12 pikë prapa liderëve të Manchester City.
Manchester United ashtu siç pritej nuk e ka pasur të vështirë të kalonte një nga skuadrat më të dobëta të Premier League duke fituar me rezultatin e pastër 3-0 në “Old Trafford”. Skuadra e drejtuar nga Jose Morinjo ishte agresive që nga minuta e parë dhe gjeti golin e avantazhit me një super goditje në hyrje të zonës nga Antonio Valencia i rikthyer pas një tërheqjeje muskulore.
Stoke mundohet të reagojë dhe ka tri mundësi të mira me Shaqiri, Chupo dhe Ireland, por mundësitë nuk u shfrytëzuan ashtu siç duhet nga lojtarët vizitorë, të cilët mund t’ia kishin vështirësuar punën Djajve. Pak përpara se të përfundonte pjesa e parë ishte Anthony Martial ai që lëshoi një predhë në trekëndëshin e djathtë nga distanca duke shtangur portierin mik.
Një gol fantastik i francezit dhe një pasim po aq i bukur nga Pogba. Pas pushimit United arriti ta kontrollonte mirë ndeshjen pa rrezikuar asnjëherë fitoren dhe kishte vend edhe për Lukaku-n të shënonte emrin e tij në listën e golashënuesve me një goditje të bukur me kthesë brenda zonës.
United tani është në vend të dytë, 12 pikë larg kryesuesve të City-t, ndërsa Stoke është në zonën e rënies nga kategoria.