Organizatat ndërkombëtare dënojnë vrasjen

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, e dënoi “në mënyrën më të ashpër të mundshme”, vrasjen e Oliver Ivanoviçit
Në reagimin e tij ai u bën thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë shpejt dhe profesionalisht incidentin dhe të vënë autorët para drejtësisë.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të qëndrojnë të qetë në këtë periudhë të ndjeshme dhe të përkushtohen për vazhdimin e punës drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi”, thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka biseduar në telefon me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit.
Në një komunikatë të zyrës së saj thuhet se, “ajo e dënoi ashpër vrasjen”, ndërsa shfaqi pritjet se autoritetet e rendit në Kosovë nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të gjetur autorët dhe për t’i vënë ata para drejtësisë pa asnjë vonesë. Ajo u zotua se Misioni i BE-së për sundimin e ligjit do të mbështesë autoritetet brenda mandatit të tij.
Zonja Mogherini, u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe t’u lejojnë organeve të rendit dhe drejtësisë të bëjnë punën e tyre.
Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Jan Braathu është shprehur “i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar pas lajmit për vrasjen e Oliver Ivanoviçit”.
“Ai ishte një nga përfaqësuesit më të shquar të serbëve të Kosovës për pothuajse dy dekada. Ka treguar angazhim të palodhshëm në të mirë të komunitetit të tij dhe ka qenë bashkëbisedues i vlerësuar në Kosovë”, thuhet në reagimin e tij.
“Vrasja e Oliver Ivanoviçit është thellësisht shqetësuese”, shtoi ai. “E kam pasur privilegjin që ta njoh personalisht për vite dhe gjithmonë e kam admiruar intelektin, qetësinë dhe përkushtimin e tij. Të shohësh vrasjen e një politikani me gjakftohtësi në vitin 2018 në Kosovë është mendim shqetësues. E dënoj në mënyrën më të fuqishme këtë akt mizor”, thuhet në reagimin e zotit Braathu, i cili bën thirrje për vënien sa më parë para drejtësisë të autorëve të vrasjes. “Ky do të jetë test i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë”, theksoi ai.