Kush e vrau Ivanoviçin?

Lideri i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviç, nuk u ka mbijetuar plagëve, pas sulmit ndaj tij me armë zjarri, në mëngjesin e së martës.
Vdekjen e Ivanoviçit e ka konfirmuar për Radion “Evropa e Lirë”, Shyqri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë në Mitrovicë.
“Ivanoviç është vrarë para selisë së partisë së tij dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur”, ka thënë Syla.
Sulmi ndaj Ivanoviçit kishte ndodhur para zyrës së Ivanoviçit. Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin.
Zheljko Bojiq, shef i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, ka thënë për Radion “Evropa e Lirë” se incidenti me armë zjarri ka ndodhur në rrugën “Sutjeska”, rreth orës 8 e 10 minuta.
“Me këtë rast është plagosur Oliver Ivanoviçi. Viktima, menjëherë është dërguar në spitalin e Mitrovicës së Veriut, ku është tentuar t’i bëhet reanimimi, pas së cilës, mjekët kujdestarë kanë konstatuar se ai ka vdekur. Ekipet hetuese dhe prokurori kompetent ende janë në vendin e ngjarjes dhe po e bëjnë hetimin. Gjithashtu po i hetojnë edhe gjurmët e caktuara që janë gjetur në vendin e ngjarjes, të cilat do të shërbejnë për rrjedhën e mëtejshme të hetimit”, ka thënë Bojiç.
Ai ka shtuar se një incident tjetër ka ndodhur, po ashtu në Mitrovicën e Veriut, rreth një orë pas incidentit ku u qëllua Ivanoviç, duke thënë se Policia po i heton të dyja rastet, për të shikuar nëse eventualisht ato kanë ndërlidhje.
“Rreth orës 9 e 15 minuta, në rrugën “Vojvoda Putnik” është gjetur e djegur një veturë e tipit ‘Opel Astra’, pa tabela regjistrimi. Policia, aktualisht është duke dyshuar se ky rast mund të jetë i ndërlidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviçit. Hetimet ende janë duke vazhduar”, ka thënë Bojiç.
Lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviçit, ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke e dënuar ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova.
“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviçit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës. Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”.
“Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Oliver Ivanoviçi, në zgjedhjet e fundit lokale, ka qenë lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”.
Ndonëse kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të qershorit të vitit 2017, ai kishte hequr dorë për shkak të numrit të madh të subjekteve politike nga bashkësia serbe, duke thënë se kjo do të sillte deri te shpërndarja e votave.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, disa kandidatë për këshilltarë komunalë nga subjekti i tij politik, ishin tërhequr nga lista për shkak të kërcënimeve se do t’i humbnin vendet e punës. Beogradi zyrtar, me këtë rast kishte mbështetur vetëm Listën Serbe.
Në fillim të vitit 2014, Ivanoviç ka qenë një prej kandidatëve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, kur edhe ishte arrestuar. Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2017, kishte vendosur për gjykimin e sërishëm të Oliver Ivanoviçit, pasi që në vitin 2016 ishte dënuar me 9 vjet burg për krime të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjatë viteve 1999 dhe 2000. Gjykimi i sërishëm kishte nisur me 24 mars të vitit 2017 dhe me 21 prill, Ivanoviçit i ishte hequr masa e arrestit shtëpiak dhe i ishte mundësuar mbrojtja nga liria.

Presidenti dhe qeveria e Kosovës dënojnë vrasjen
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dënoi ashpër vrasjen e kryetarit të Nismës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviç.
“I ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejt rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Presidentit Thaçi, i cili u bën thirrje qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.
Qeveria e Kosovës dënoi ashpër vrasjen, duke theksuar se “akti i vrasjes së Oliver Ivanoviçit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës. Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”.
Në reagimin e saj, qeveria e Kosovës, u bën thirrje të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.

Beogradi ndërpret bisedimet në Bruksel
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka caktuar për në mesditë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit. Ndërkohë, delegacioni serb që ndodhej në Bruksel për vazhdimin e bisedimeve teknike me Kosovën, tha se po ndërpret bisedimet për shkak të situatës së krijuar pas kësaj vrasjeje.