Kalvari për drejtësi, 20 familje në Tiranë sorollaten në gjykata

 

“Nëse më marrin shtëpinë më kanë marrë jetën!”Ilir Aliameti është kryefamiljari që rrezikon të mos banojë më në këtë shtëpi të ndërtuar prej vitit 1994. Së bashku me mbi 20 familje në zonën e Tufinës në vitin 1996, ai ka nisur betejën ligjore për të gëzuar pronën që e ka përfituar prej Ligjit 7501 në vitin 1991.
Iliri që nuk e ndjeu kurrë lirinë e të qenit i mbrojtur nga institucionet e shtetit thotë se, shtëpinë e ka ndërtuar konform ligjeve, zotëron çertifikatën e pronësisë dhe banesa është në proces legalizimi.
Alimeta: Jemi njohur me një vendim absurd të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi që na ka futur në këto siklete dhe në vendim nuk ka të cilësuar asgjë, thotë kthim sendi, por çfarë sendi duhet t’ju kthej unë atyre?
Për dy dekada, Ilir Aliameti është endur në dyert e gjykatave për të kërkuar të drejtën e tij, por thotë se është përballur me vendime korruptive e në shkelje të ligjit.
Aliameti: Ata na kanë vrarë. Ata na kanë vrarë nga ana psikologjike, jo që të shembim shtëpinë të shkojmë edhe të hidhemi në lumë se nuk kemi ku shkojmë.
Në nëntor Përmbarimi u mori ato pak orendi, që Iliri i ka blerë duke shitur lule dhe në disa prej dhomave kanë ngelur vetëm muret.
Varfëria është një tjetër sfidë për ta, prej vitit 1996 ku u njohën me ish-pronarët e tokës ku banojnë, u duhet që çdo ditë ta jetojnë me frikën se nuk do të kenë më një strehë mbi kokë.
Aliameti: Rri me shpresë po kapa 5 mijë lekë po i bie në shtëpi nëse jo hamë thatë.
Sadete Ram Toli, është një tjetër banore që ka trokitur në dyert e institucioneve të drejtësisë, por nuk e ka gjetur kurrë të drejtën. Me një dosje voluminoze në duar, shpjegon rrugët ligjore të ndjekura.
Toli: Vendimin e Gjykatës së Lartë e apeluam në Gjykatës Kushtetuese dhe ajo e rikthen çështjen për rigjykim. Dhe i njëjti trup gjykues i Gjykatës së Lartë me kryetar Thimio Kondin, ua jep të drejtën ish-pronarëve.
Besim Kuka, një nga banorët e prekur paralajmëron se ai do ta mbrojë me jetë banesën e tij.
Kuka: Pronari mund të vijë të marrë tokë tjetër, por tokën që unë e kam të trajtuar me 7501 ta harrojë, me këto vendime të gjykatave të korruptuara.
Punonjësit e Përmbarimit ndryshe nga sa kishin njoftuar nuk u paraqitën për të ekzekutuar vendimin e 18 majit të vitit 2006 të Gjykatës së Shkallës së Lartë.
Nga ana tjetër prej 22 dhjetorit të vitit të kaluar, banorët e Tufinës kanë nisur kalvarin për gjetjen e së drejtës, duke kërkuar pezullimin e veprimeve përmbarimore dhe pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv të vitit 2006.