Grabitja e bankës në Tiranë, autorët të lirë

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga grabitja e bankës së nivelit të dytë në mes të Tiranës, autorët janë ende të lirë. Policia bëri të ditur dje, se dy efektiva të policisë private po hetohen në lidhje me grabitjen e bankës brenda Hipotekës së Tiranës. Burimet zyrtare thanë se, njëri prej policëve, me iniciale F.F, 48 vjeç, u arrestua në flagrancë menjëherë pas ngjarjes për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë pas hetimeve të para u procedua në gjendje të lirë shtetasi R. K., 61 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë operator i qendrës së kontrollit SHPSF-së.
Dëshmitarët, punonjës të ADISA, Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve të Integruara kanë thënë në polici se grabitësi ishte i dobët rreth 170 cm i gjatë. Ata kanë parë se grabitësi ka ardhur në ambientet e institucionit me një çadër në dorë. Ka qëndruar tek dera e jashtme dhe pasi mbuloi kokën me kapuç dhe kapele hodhi çadrën dhe u fut në ambientet e brendshme, ku kërcënoi me armë punonjësit, të cilët u ulën në tokë. Ndërsa arkëtares nëpërmjet xhamit i vuri pistoletën te koka.
Dëshmitarët kanë thënë se grabitësi ishte i veshur me të zeza me kapuç e kapele me strehë. Sapo ka hyrë në ambientet e brendshme i ka drejtuar armën policit privat dhe e ka mënjanuar tek muri dhe ka thënë “askush mos lëvizë”.
Më pas është afruar tek sporteli nr. 3 dhe i ka drejtuar armën arkëtares, duke i përsëritur fjalët “lekët se të vrava”. Arkëtarja për disa sekonda është ngutur dhe nuk ka bërë asnjë veprim. Më pas, grabitësi ka goditur me qytën e armës xhamin e sportelit. Pas këtij veprimi arkëtarja ka hapur kasafortën e arkës dhe i ka futur në një qese të zezë mbeturinash të gjithë paratë.
Në dalje të institucionit, ai është përplasur me derën prej xhami, e cila është automatike dhe hapet me vështirësi. Policia është njoftuar nga alarmi i bankës sapo grabitësi është futur, por nuk mundi ta arrestojë në flagrancë.