Brukseli: Bisedimet me Shqipërinë mund të hapen vetëm në vitin 2019

Radio “Free Europe” ka parë raportin e hartuar nga Komisioni Evropian për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky është raporti më pozitiv, sepse raporti i Këshillit të Evropës pritet të jetë edhe më i ashpër.
Sipas raportit, në vitin 2025 Mali i Zi dhe Serbia duhet të anëtarësohen në BE, ndërsa Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, dhe Maqedonia duhet të përparojnë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
Sipas strategjisë së Komisionit Evropian, afatet kohore të vendosur për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë:
Në fund të vitin 2019:
Shqipëria dhe Maqedonia duhet të nisin bisedimet për anëtarësimin në BE, duke e marrë të mirëqenë që Tirana do të ketë zbatuar Reformën në Drejtësi.
Shkupi duhet të ketë zgjidhur problemin e emrit me Greqinë, i cili mbizotëron në vend që pas marrjes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia në fillim të viteve 1990.
Bosnje-Hercegovina duhet të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre, të cilat do të hapin rrugën për progres domethënës të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Në vitin 2023, BE duhet të mbyllë bisedimet me Serbinë dhe Malin e Zi dhe duhet të hapë bisedimet me Bosnje Hercegovinën.
Në vitin 2025, duhet të ratifikohen traktatet e anëtarësimit të BE-së me Serbinë dhe Malin e Zi, duke mundësuar anëtarësimin e këtyre vendeve në fund të vitit 2025.
Afati kohor është “vetëm tregues”, sepse “vendet mund të ecin më shpejt ose edhe më ngadalë”, shkruhet në raport.
Diplomatët evropianë, të cilët kanë folur për Radio “Free Europe” besojnë se, shumë vende të BE-së, në veçanti Franca dhe Gjermania, do t’i shohin afatet kohore të vendosura nga Komisioni Evropian si shumë ambicioze dhe do të preferonin të mos flitej për data.
Në draft shkruhet edhe se, “Partnerët e Ballkanit perëndimor kanë një dritare historike mundësie” dhe “për herë të parë në prespektivën e tyre të anëtarësimit atyre i jepet një skenar më i mundshëm”, por shton se koha e vendosur në raport është realiste vetëm nëse ekziston “vullneti politik, kryerja e reformave të vërteta, dhe zgjidhje afatgjata për t’u diskutuar me fqinjët”.
Strategjia, e cila pritet të bëhet publike më 6 shkurt 2018 është pjesë e përpjekjes së BE-së për të marrë frymë lirisht për procesin e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të vazhdojnë të mbeten jashtë bllokut.
Ajo mund të diskutohet me udhëheqësit e vendeve dhe qeverive të BE-së në samitin e ardhshëm në Bruksel, në muajin mars dhe është e sigurtë se do të diskutohet gjatë samitit të vendeve të Ballkanit në Sofie me 17 maj.