Berisha: 27 janari të shndërrohet në triumfin e opozitës shqiptare

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka dënuar me ashpërsinë më të madhe heshtjen e Ramës në lidhje me atentatin me eksploziv që ndodhi në Shkodër ditën e shtunë. Në këtë akt terrorist mbetën të plagosur 8 persona, ku katër prej tyre në gjendje më të rëndë. Berisha thekson se, mosreagimi i Ramës dhe autoriteteve të tjera më të larta të shtetit është një inkurajim për narko-terroristët dhe bandat e tyre, është dëshmi se ato janë lidhje e fortë, kocka të partisë dhe shtetit kanabist të Edi Ramës. “Noriega qendrim në mbështetje të narko-terrorit! Të dashur miq, tre ditë më parë qyteti i Shkodrës përjetoi një akt të mirëfilltë narko-terrorizmi, në të cilën u plagosën 8 qytetarë, 4 prej tyre morën plagë të rënda. Ky akt narko-terrori ka zgjuar indinjatë të thellë mbarë popullore dhe është transmetuar gjerësisht nga mediat botërore. Me gjithë këtë Noriega dhe qeveria e tij nuk kanë lëshuar asnjë komunikatë për dënimin e ashpër të këtij akti narko-terrorist mizor, në të cilën u plagosën 8 qytetarë. Madje vetë Noriega në qindra kilometra të llogores së tij të këtyre ditëve nuk ka shqiptuar një fjalë të vetme për aktin terrorist, nuk ka dënuar atë as dhe shprehur solidaritetin me viktimat apo urimet për shërimin e shpejtë të tyre. Ky qendrim i Noriegës dhe autoriteteve të tjera më të larta të narkoshtetit, kjo heshtje vrastare e tyre, sikur akti nuk ka ndodhur, është një inkurajim për narko-terroristët dhe bandat e tyre, është dëshmi se ato janë lidhje e fortë, kocka të partisë dhe shtetit kanabist të Edi Ramës. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë heshtje zyrtare ndaj aktit narko-terrorist të Shkodrës, u bëj thirrje qytetarëve të shndërrojmë 27 janarin në ditën e triumfit të opozitës shqiptare”.