Aubameyang kërkon zyrtarisht largimin nga Borussia Dortmund

Pas përjashtimit për arsye disiplinore nga ndeshja e fundit e Bundesliga, e mbyllur pa gola kundër Wolfsburg dhe pas ndërhyrjes në “Instagram” të babait, Pierre-Emerick Aubameyang ka marrë një vendim përfundimtar dhe zyrtar: ai dëshiron të largohet nga Borussia Dortmund. Sipas asaj që shkruan “Bild”, sulmuesi nga Gaboni ka kërkuar zyrtarisht që klubi gjerman ta shesë. Në gjurmët e lojtarit, i rritur në Akademinë e Milan, është Arsenal, por për të bindur drejtuesit gjermanë për të kompletuar transferimin do të duhen të paktën 60 milionë euro.
Gjithsesi, dëshira e Aubameyang bie ndesh me atë të trajnerit Peter Stoger, i cili mbetet simpatizant i lojtarit dhe dëshiron që ai të qëndrojë te Borussia Dortmund, pavarësisht se Arsene Wenger po bën gati çekun për ta marrë qendërsulmuesin si zëvendësuesi i Alexis Sanchez, gjithnjë e më pranë kalimit te Manchester United. “Për logjikën time Aubameyang duhet të qëndrojë në skuadër. Ai është një futbollist i yni në bazë të kontratës, po stërvitet me ekipin dhe është në planet tona për ndeshjen e ardhshme. Pezullimi i tij ka mbaruar dhe është kthyer në dispozicion. Ai më pëlqen shumë dhe do të isha i kënaqur nëse do të kisha shërbimet e tij”.