Tenderat e luksit, Veliaj 480 milionë lekë internet për zyrat e Bashkisë

Bashkia e Tiranës me në krye Erion Veliaj, vijon të shpenzojë pa asnjë kontroll dhe në mënyrë jotransparente taksat e qytetarëve të Tiranës. Pak kohë më parë, Bashkia e Tiranës hapi një tender për krijimin e një websiti, ku shpenzoi plot 120 milionë lekë, një marrëzi me shpërdorimin e fondeve publike. Sërish ndodhi e njëjta gjë. Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tjetër tenderi, ku Veliaj do të shpenzojë mbi 480 milionë lekë për internet në zyrat e Bashkisë. Internet dhe disa linja intranet do t’u çohen edhe institucioneve të varësisë së Bashkisë së Tiranës. Fondi limit është plot 390.474.040 lekë pa TVSH, ose rreth 480 milionë lekë me TVSH, ndërsa burimi i financimit janë të ardhurat e vetë bashkisë. Afati për ofrimin e shërbimit është nga data e lidhjes së marrëveshjes kuadër deri në datë 31.12.2018. Tpz.al kërkoi edhe shpenzimet e bashkive të tjera për internet, ku rezultatet ishin befasuese; Durrësi, Tropoja dhe Rrogozhina sëbashku do të shpenzojnë vetëm 17.4 milionë lekë të vjetra. Normalisht, shumëkush mund të thotë se, Bashkia e Tiranës ka shumë më tepër punonjës se sa bashkitë e tjera që krahasuam, ashtu si edhe banorë. Në Tiranë, banojnë afërsisht 850 mijë banorë, ndërsa në Durrës jetojnë rreth 200 mijë banorë. Sipas dokumenteve që disponojmë, Bashkia e Durrësit do të shpenzojë vetëm 5 milionë lekë për internet, ndërsa ajo e Tiranës, e cila ka katërfishin e banorëve nuk duhet t’i kalonte 20-25 milionë lekë të vjetra. Por, kjo nuk ka ndodhur, pasi është hapur tenderi për plot 400 milionë lekë. Internet kërkon edhe Bashkia Tropojë, e cila do të zhvillojë procedurën e prokurimit me vlerë të vogël me fond limit 360.000 lekë pa TVSH, me objekt “shërbim interneti, për Bashkinë Tropojë”. Kërkohet internet për godinën e bashkisë, për njësitë administrative, ndërsa afati i kryerjes instalimit do të jetë 2 ditë, duke filluar nga shpallja e fituesit. Shërbimi do të ofrohet për deri më 31.12.2018. Edhe Bashkia Rrogozhinë ka hapur tender për internet, me fond limit 785.850 lekë, për të gjitha institucionet, për plot 1 vit kalendarik. Veliaj apo edhe shumë zyrtarë të tjerë, nuk i kursejnë miliarda lekë nga taksat tona për investimet publike, por askush nuk është në dijeni sesi shpërdorohen.

120 milionë për një websit

Çdo tender i firmosur nga Erion Veliaj nis me shifra marramendëse për çdo zë qoftë edhe për një shërbim të vogël. I tillë tenderi i sapofirmosur për ndërtimin e websiti (faqe online). Me një kosto jo vetëm abuzive e tërësisht të pajustifikueshme, por mbi të gjitha skandaloze, pasi shërbimi për ndërtimin e një websiti mund të kushtojë thjeshtë dhe vetëm 500 mijë lekë të vjetra apo edhe pak më shumë. Por vala e tenderave milionëshe në Bashkinë e Tiranës nuk kanë të ndalur. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, as nuk e ka problem që të ofrojnë më shumë se 120 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e një websiti, që me stil i është shtuar edhe një rrjet intraneti dhe 2 trajnime. Erion Veliaj, Bashkia e të cilit ka publikuar tashmë si autoritet kontraktor tenderin, ka lënë një afat 4-mujor për ndërtimin e tij, ndërsa mirëmbajtja do të jetë 4 vjet. Pra, një kompani, të cilën do e ndjekim hap pas hapi për t’i zbuluar emrin, do të paguhet rreth 30 milionë lekë në muaj. Tenderi që do të mbyllet më 14 dhjetor përcakton që ofertimi do të bëhet për krijim websiti, intranet, trajnim dhe mirëmbajtje. Intraneti është një rrjet privat, që do aksesohet nga stafi i bashkisë.