Njeriu i Ramës zbulon skandalin, ONM rrëzoi kandidatët e Fondacionit Soros

????????????????????????????????????

Një raport i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, zbulon se Fondacioni Soros dhe Kuvendi i Shqipërisë po favorizojnë disa kandidatë të Shoqërisë Civile që nuk plotësojnë kriteret ligjore (sipas ekspertëve ndërkombëtarë-ONM). Raporti i plotë i siguruar nga Hashtag.al, zbulon shkeljen e kritereve. Një nga organet që do strukturohen pas Reformës në Drejtësi është Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).
Një prej anëtarëve të këtij këshilli duhet të jetë propozim i Shoqërisë Civile. Drejtuesi i Komisionit Propozues të Shoqërisë Civile është zoti Andi Dobrushi, njëherësh dhe drejtor i Fondacionit Soros. Nga lista që ka propozuar Komisioni i Shoqërisë Civile, në përfundim Kuvendi ka mbajtur në garë vetëm 3 kandidatura. Alfred Balla, Andi Muratej, Mimoza Qinami. Por vendimi i Kuvendit rezulton tërësisht në kundërshtim me opinionin e Organizatës Ndërkombëtare të Monitorimit (ONM), pasi kjo organizatë ka kërkuar skualifikimin e Alfred Ballës dhe Andi Muratej, ONM-ja ka kërkuar që në garë të mbetej vetëm Mimoza Qinami si e vetmja kandidate që plotësonte kriteret.
Kuvendi e ka renditur në raport Alfred Ballën në vend të parë, por misioni i ONM-së është shprehur për këtë kandidat se ka dyshime se ai e ka kopjuar platformën e vetë konkuruese nga një tjetër kandidat, pra ka bërë plagjiaturë. Ndërsa për Andi Muratej misioni i ONM-së ka zbuluar se ai nuk ka punuar në Shoqërinë Civile në afatin kohor siç e kërkon ligji dhe se ka qenë i angazhuar me detyra shtetërore kryesisht.
Sipas ONM-së Alfred Balla dhe Andi Muratej duhej të skualifikoheshin, por Kuvendi i Shqipërisë pa dhënë asnjë kundër-argument mbi pretendimet e ONM-së, i ka kualifikuar këta dy kandidatë, madje i ka renditur të parët në listën e pikëzimit. Ky është një shembull arbitrar se si Kuvendi po godet me vendim politik, opinionin e ekspertëve të ONM-së, duke futur në lojë dy kandidatë me probleme dhe që nuk plotësojnë kriteret. Nga ana tjetër, raporti i ONM-së zbulon dhe kompromentimin e Shoqërisë Civile dhe në veçanti të Fondacionit Soros, pasi nga 14 kandidaturat (në total) që ka paraqitur ky Fondacion vetëm njëra prej tyre plotësonte kriteret ligjore.