Me Paris SG gjithmonë e më shumë të shkëputur në krye të Ligue 1, në Francë ka nisur një garë interesante për një vend në Champions League. Monaco dhe Lyon ndajnë vendin e dytë, 11 pikë larg kreut, me nga 42 pikë, një më shumë se Marseille, që mban vendin e katërt. Dy nga këto tre ekipe do të shkojnë në veprimtarinë prestigjioze. Këtë mesjavë do të vazhdojë sfida në distancë, pasi të martën Monaco pret Nice, ndërsa Marseille pret Strasbourg. 24 orë më vonë, Lyon do të luajë në Guingamp. Marseille po kalon një moment të mirë forme, ndërsa kundërshtari i tyre Strasbourg ka vështirësi pasi ka humbur në dy ndeshje radhazi, por më parë bëri një seri me gjashtë rezultate pozitive të njëpasnjëshme. Aktualisht, Strasbourg është goditur nga disa dëmtime, mes të cilëve portieri Bingourou Kamara. Strasbourg është në mesin e klasifikimit, por vetëm 5 pikë larg nga zona e rënies nga kategoria. Nga ana tjetër, trajneri i Marseille, Rudi Garcia nuk duket shumë i interesuar për merkaton, por gjërat te skuadra e tij duhet të ndryshojnë. “Nuk e di nëse drejtuesit do të na sjellin ndonjë futbollist të ri, por unë mendoj se kemi një ekip që mund të jetë i suksesshëm dhe mund të përmirësohet ndeshje pas ndeshje. Ne duhet thjesht të bëjmë kujdes dhe të shpresojmë mos kemi dëmtime”.
Marseille ka humbur vetëm një ndeshje në shtëpi në këtë sezon dhe mund të krenohet me faktin se nuk ka humbur asnjë nga 10 ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha veprimtaritë. Në këto 10 ndeshje ata kanë shënuar 20 gola. Edhe Strasbourg është një ekip që shënon dhe pëson shumë. Mesatarja e golave në ndeshjet e fundit të kësaj skuadre është 2.8 gol/ndeshje. Strasbourg mund të krenohet me faktin se është e vetmja skuadër që ka mposhtur PSG në këtë sezon, ndërsa Marseille do të bazohet edhe një herë te forma e mirë që po kalon mesfushori 24-vjeçar Florian Thauvin, i cili ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë 8 asiste në 20 ndeshje të luajtura sivjet.
Monaco vjen nga barazimi 0-0 kundër Montepellie, që ndali një ecuri prej katër fitoresh radhazi. Skuadra nga Principata ka marrë 13 pikë në 5 ndeshjet e fundit, e njëjta ecuri e Nice, që po shkëlqen duke rregulluar disi pozitat pas fillimit të dobët të kampionatit. Te Monaco është në dyshim prania e Radamel Falcao, autor i 15 golave në këtë kampionat. Vetëm Edison Cavani ka bërë më mirë se ai. Ndeshjet e kampionëve të Francës në fuqi kanë prodhuar mesatarisht 3.3 gol/ndeshje, ndërsa Nice e ka mesataren 2.8 gol/ndeshje.
Sfida tjetër që do të luhet në mbrëmjen e së martës në Ligue 1, Bordeaux-Caen. Të dyja skuadrat janë shumë pranë në renditje, por miqtë qëndrojnë një shkallë më lart, pasi kanë një pikë më shumë, pas 20 ndeshjeve të para.