Kush janë dy deputetë e rinj në Parlament

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zëvendësuar sot deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica, të cilëve u hoqi mandatin disa ditë më parë.
Me unanimitet KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të PDIU-së në Elbasan kandidatit Dritan Bici dhe nga lista shumëemërore e LSI në Qarkun e Beratit, kandidates Silva Caka.
Ndërkohë me 4 vota pro dhe 3 kundër, KQZ vendosi që Florenc Xhindi të vijojë të mbajë mandatin e anëtarit të LSI në Këshillin Bashkiak të Beratit.
Administrata e Komisionit propozoi të kundërtën, pasi Xhindi nuk ka deklaruar në formular se ka qenë më herët i dënuar nga Gjykata e Sarandës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Por sipas 3 anëtarëve të KQZ të propozuar nga PS dhe atij të propozuar nga LSI, nuk mund të konsiderohet fshehje informacioni një e dhënë që ndërkaq është publike, siç janë dënimet e gjykatave shqiptare.