“Parajsat financiare” dhe shoqëritë “offshore”

Parajsa financiare është domosdoshmëri për realizimin e pastrimit të parave. Parajsa financiare është bashkim i parajsës fiskale (shmangie e detyrimeve fiskale) dhe parajsës bankare (shmangie e përfitimeve që vijnë nga operacionet bankare). Parajsa financiare çimentohet nga elementët sekret, që pengojnë depërtimin në parajsat financiare. Pastrimi i parave realizohet nga “parajsat financiare”, sepse i përgjigjet kërkesës për të fshehur origjinën kriminale të kapitalit, duke i dhënë një formë të pastër kapitaleve dhe përfundimisht të pakapshëm kapitalit kriminal.

Disa veçori për vendet e përcaktuara si “parajsa financiare”?

Për të përcaktuar një vend si “parajsë financiare” duhet të nisemi nga rregullat e përcaktuara nga bankat, për sekretet, tutelën mbi llogaritë. As policia nuk ka të drejtë të hetojë për llogaritë bankare të një qytetari. Pastrimi i parave, duke qenë i rrezikshëm për vetë bankat, dikton që ato t’i japin të dhëna institucioneve të autorizuara, me qëllim që t’i kundërvihen procesit të riciklimit. Sekreti bankar është kyçi i riciklimit të kapitaleve të paligjshme. Pra, të ashtuquajturat “parajsa financiare” kanë privilegjin të kryejnë lëvizje shumë të shpejta të parave në mënyrë sekrete. Në parajsat financiare operacionet bankare jo vetëm që janë sekrete, por dhe mund të mos identifikohen. Automatet e kryejnë operacionin pa u njohur. Vetë shtetet, i favorizojnë bankat, duke mos i vendosur kërkesa të plota. “Parajsat financiare” nuk e kërkojnë qartësimin e operacioneve financiare, kështu që nuk ka marrëveshje ku mund të ndërhyhet, ose ka një sistem të ulët kontrolli për klientët. Shteti nuk vendos taksa për operatorët bankarë për fitimet, taksa mbi interesat bankare.

Grupimet kriminale duhet të zgjedhin në sistemet e “parajsës financiare” midis asaj bankare dhe asaj fiskale. Ato orientohen drejt “parajsës bankare”, se i japin mundësinë të qarkullojnë kapitalet në shkallë ndërkombëtare dhe të mos dyshohen se kanë origjinë kriminale. Gjithçka ndodh në kuadrin e një universi financiar tejet të kualifikuar. Pikësëpari, kanalet financiare të përdorura për kontraktimet dhe transaksionet janë të vendosura në të gjithë ato vende të quajtura “parajsa fiskale”, sistemi ligjor i të cilave garanton tërësisht kërkesat e klientëve anonimë dhe me përqindje të ulët detyrimesh (taksash). Pasi kapitalet kanë arritur në vendet e ashtuquajtura “parajsat fiskale”, kanalizohen nëpërmjet llogarish tranziti apo të shifruara në qarqe, të cilët karakterizohen nga lëvizje shumë të shpejta, me ndihmën e sistemeve informatike, aq sa paratë e likujdueshme në zhargon quhen “Hot Money” (para të nxehta). Pra, bëhet fjalë për tregje ose segmente të tyre, që kanë disa karakteristika të veçanta, që jo gjithmonë i korrespondojnë karakteristikave zyrtarisht të njohura:

– orientimi i kapitaleve të paligjshme ndaj shoqërive që fshehin origjinën ose natyrën e këtyre parave, shoqëri fantazmë apo financiare, që veprojnë në pamje të parë të pavarura, por që realisht varen nga investitorë anonimë;

– prezenca e operatorëve jo institucionalë, të ashtuquajturve furnizues;

-disponimi i kapitaleve shumë të mëdha, të likuidueshëm, origjina e të cilave s’ka rëndësi për askënd;

– mungesa e organeve zyrtare të informacionit, që do të garantonin një njohje dhe transparencë të përshtatshme;

– trajtimi në këtë kuadër i instrumenteve financiarë jo tipikë, të tilla si kreditet e firmës, të cilat transformohen në garanci bankare dhe letra krediti, që përgjithësisht në tregjet zyrtare u bashkëngjiten kontratave me natyrë komerciale.

Shoqëritë “offshore” dhe funksionimi i tyre

Pastrimi i parave është ndoshta një nga krimet më të përhapura në shoqërinë moderne dhe i lidhur pazgjidhshmërisht me mjedisin “offshore”, i cili përbën institutin tipik të “parajsës financiare”. “Offshorë” drejtohet nga një person jashtë vendit, ku ushtron operacionet kjo shoqëri. Ky ka shumë privilegje, si nuk ka detyrime fiskale dhe nuk paguan taksa. Në strukturën e brendshme të kësaj shoqërie nuk duhet ortaku për besueshmërinë e tij dhe vetë shteti nuk është i interesuar t’i kërkojë origjinën, pasi në këtë shtet ai hap vende të reja pune dhe ndikon në rritjen e nivelit ekonomik. Këto shoqëri nuk prodhojnë, por vetëm kryejnë lidhjen ndërmjet prodhimit dhe shoqërive tregtare. Shoqëritë “offshore”, si shoqëri ndërmjetëse, shndërrohen në kasaforta të kapitaleve me origjinë kriminale. Përfitimet më të mëdha të riciklimit të kapitalit realizohen nga transportimi fizik i valutës, sepse kështu ai humb gjurmët kriminale dhe i jep të drejtë këtyre kapitaleve të legalizohen.

Shoqëria “offshore” cakton vendin ku është bosi dhe vendin ku do të bëhet investimi i kapitaleve kriminale. Në çastin kur i kanë futur këto para në vend, ata kanë bërë rreth 90% të punës së riciklimit dhe pjesa tjetër është marrja e këtyre parave në vendin e tij. “Sipas specialistëve italianë të luftës kundër pastrimit të parave “… shoqëritë offshore” nuk veprojnë në bashkëpunim me bankat vendëse, nuk kryejnë veprime bankare për qytetarët e këtij vendi, por futen në ciklin ndërkombëtar të transferimit të kapitaleve” . Kalimi i kapitaleve kriminale në “offshore’ është hapi i parë i pastrimit të parave. Për të fshehur gjurmët dhe për të justifikuar kapitalet, ata do të kthehen për riinvestim. Kjo përbën fazën e dytë. Pra, kërkohet faturimi që të vërtetojë marrëdhënien financiare që ka klienti me shoqërinë financiare. Shoqëria lëshon faturën, e regjistron në kontabilitet për një subjekt të caktuar, për shembull një fabrikë që prodhon shishe birre. Shoqëria “offshore” studion koston e tokës, të ndërtimit, të projektimit etj. Të gjitha këto bëhen fallso. Kështu, nëse ato në fakt kushtojnë një milion lekë në faturën që lëshon “offshore” për jashtë e shënon njëqind milion lekë. Banka merr nga instituti “offshore” njëqind milion lekë. Ky proces ka një pikë të dobët, që duhet të jetë në qendër të vëmendjes të organeve hetimore – gjyqësore: kontrolli i menjëhershëm i produktit të prodhuar dhe i magazinave në kohën kur sapo ka marrë formë produkti i gatshëm. Për këtë kërkohet bashkëpunim ndërkombëtar.

Organizatat kriminale që kryejnë aktivitete të paligjshme, të cilat gjenerojnë “para të pista” shfrytëzojnë çdo mundësi të ofruar nga globalizimi, për pastrimin e kapitalit të tyre në qendrat financiare, në vendet që konsiderohen “parajsë financiare” dhe operacionet “offshore” nuk kanë limite, të tilla si: Aruba (Karaibe), Xhibuda, Honk Kong, Liternshtejni, Ishujt Britanikë, Makao, ishujt e Panamasë, ishujt e Kanalit, ishulli Man, ishujt Kaiman, pothuajse të gjithë ishujt e Antileve Holandeze, ishujt Bahamas, etj. “Panamaja është vendi më i madh i pastrimit të parave me origjinë nga narkotikët …”.