Përgatituni të paguani faturat e ujit nga 35 mijë lekë, ose hidhini në lanë me 27 janar

Përmes një letre publike, Kreu i Entit Rregullator të Ujit Ndriçim Shani, tregoi se si u bind nga nisma e Erion Velisë për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Duke iu përgjigjur raportit të Autoritetit të Konkurencës që zbuloi pikat e dobëta të vendimit, Shani botoi një shkrim në të përditshmen Panorama. Sipas llogarive të Shanit, fatura e ujit do të ishte normale të shkonte deri në 3 mijë e 500 lekë për një familje.
“ERRU ka si referencë përballueshmërie të pagesës së faturës së ujit vlerën prej 5% të të ardhurave mesatare të një familjeje në Shqipëri, që llogaritet rreth 70,000 lekë/familje, që nënkupton një faturë të ujit e përballueshme deri 3,500 lekë/muaj/familje” shkruan ai.
Vendimi është i pakthyeshëm dhe Autoriteti i Konkurencës nuk ka fuqi ta rrëzojë, por letra e kreut të Entit Rregullator të Ujit vlen për të kuptuar se si u pranua rritja e çmimit nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe akoma më shumë për bizneset private.
Autoriteti i Konkurencës, vuri në dukje mungesën e transparencës në nismën për rritjen e çmimit. Sepse ne sot nuk e dimë se sa është kosto e ujit që paguajmë dhe se sa është fitimi i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve për një metër kub ujë.
Ne sot nuk e dimë orarin e ujit me të cilin furnizohen zonat e ndryshme të Tiranës dhe për më tepër, uji nuk është i pijshëm në pjesën më të madhe të qytetit.
Pa i ditur, ose pa i publikuar këto të dhëna, Enti Rregullator e miratoi propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit me gati 45%.
Autoriteti i Konkurencës raportoi se fitimet më të mëdha të ndërmarrjes së Ujësjellësit, nuk do të vijnë nga ndërprerjet e lidhjeve të paligjshme të ujit, por nga rritja e çmimit.
“96% nga rritja e tarifave, dhe vetëm 4% nga rritja e nivelit të faturimit” shkruhet në raport, kur flitet për fitimet e UKT.
Nga ky konstatim lind pyetja, përse Bashkia nuk priti, që rritja e çmimit të ujit të bëhej pas shkëputjes së lidhjeve të paligjshme dhe minimizimit të humbjeve në rrjet?
Edhe vetë Enti Rregullator ishte i ndërgjegjshëm për humbjet e shumta në rrjet, kur ktheu përgjigje pozitive për Veliajn, por sipas Ndriçim Shanit, planet e Bashkisë për përmirësimin e situatës ishin bindëse.
“Objektivat e përcaktuara ishin të shoqëruara me plane të veprimit për arritjen e tyre. Përmirësimi i treguesve të performancës është bazuar në uljen e humbjeve teknike me anë të investimeve dhe të humbjeve administrative (kryesisht lidhjet e paligjshme), që arrihen duke përmirësuar aspektet e menaxhimit të shoqërisë” shpjegon Shani.
Nga letra kuptohet se ERRU miratoi rritjen e çmimit të ujit, bazuar vetëm në premtimet e zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës. Ekspertët nuk patën në tryezë një Master-Plan për hapat që do të ndërmerren deri në realizimin e objektivit për furnizimin me ujë 24 orë.
Ka edhe një aletrnativë tjetër përtej asaj të faturave të fryra të ujit; ti hedhim në lanë me 27 janar.