PD kërkon dorëheqjen e Gramoz Ruçit: Puç kushtetues me zgjedhjen e Arta Markut

Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, në një deklaratë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, theksoi se në datën 18 dhjetor, gjatë seancës së fundit të Kuvendit, është kryer një puç kushtetues i urdhëruar nga Edi Rama, por me dijeninë, miratimin dhe zbatimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Nisur nga faktet dhe argumentet e paraqitura këtë të enjte në Kryesinë e Kuvendit, në prezencë të Ruçit, Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit të Kuvendit.
Spaho ka shprehur kërkesën në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Kjo kërkesë bëhet për shkak të drejtimit të seancës së betimit të kryerprokurores së Përkohshme, Arta Marku.
Spaho theksoi se Kuvendi i Shqipërisë me votat e mazhorancës, në kundërshtim me përcaktimet Kushtetuese, të cilat kërkojnë zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me 3/5 e votave, të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe të ketë kaluar proçesin e vettingut, e zgjodhi atë me propozim të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pa vetting dhe me 69 vota.
Spaho vuri në dukje se, kjo shkelje flagrante e Kushtetutës i jep mbrojtje politike dhe antiligjore Edi Ramës, ministrave dhe oligarkëve të tij, i jep mbrojtje Saimir Tahirit dhe aktivitetit të tij kriminal, i cili kanabizoi vendin, i jep mbrojtje Vangjush Dakos nga përgjimet e shërbimeve të huaja, ku në këmbim të votave në zgjedhjet e 25 Qershorit u ofroi grupeve kriminale fonde shtetërore nëpërmjet tenderave publikë, i jep mbrojtje Qazim Sejdinit për lidhjet me krimin e organizuar në Elbasan, pastrimin e parave për të cilën hetohen familjarët e tij dhe blerjen e zgjedhjeve. Ai theksoi se për sa kohë Kushtetuta e Shqipërisë do të shkelet, Parlamenti nuk do të funksionojë në kushte normale.
Ai tha se opozita nuk mund të lejojë shkeljen permanente të Kushtetutës dhe delegjitimimin e institucioneve, duke qëndruar fort në mbrojtje të saj dhe institucioneve demokratike.
“Paralajmërimi i opozitës po vërtetohet çdo ditë me shkarkimin e prokurorëve brenda disa ditëve dhe zëvendësimin e tyre me sejmenë të Edi Ramës, dhënien e pasaportës Saimir Tahirit, lirimin e Orest Sotës, i cili u kap me 863 mije euro dhe dy patenta të Saimir Tahirit si dhe lirimin para disa ditësh të një të burgosuri të proçesit të Xibrakës. Në këto kushte, opozita nuk mund të lejojë shkeljen permanente të Kushtetutës dhe delegjitimimin e institucioneve, duke qëndruar fort në mbrojtje të saj dhe institucioneve demokratike dhe si hap i parë i kthimit të normalitetit në Kuvend, kërkojmë dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit të Kuvendit”, theksoi kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho.

Marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin

Spaho paralajmëroi dje në një intervistë mediatike gjithashtu se opozita do të kushtëzojë marrëdhëniet me Kuvendit derisa ai të kthehet në shinat e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. “Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur gjë. Shqipëria po rrëshket, u blenë zgjedhjet e 25 qershorit, po rrënohet Reforma në Drejtësi, po rrënohet pakti i korrikut 2016 si dhe zhvillimet tejet negative për lidhjet e qeverisë me grupet kriminale. Ju e dini dosjen e Saimir Tahirit, i dini akuzat për kryebashkiakun e Durrësit dhe Elbasanit, kapjen e sistemit të drejtësisë dhe emërimin me dhunë të kryeprokurorit të përkohshëm. Nuk bëhet fjalë për përkohshmëri, por për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Pas emërimit iu lirua pasaporta Saimir Tahirit, u lirua Orest Sota që u kap me 863 mijë euro dhe dy pasaporta të Tahirit, u lirua edhe një i arrestuar për “Xibrakën”. Kjo vërteton atë që përmes lëvizjeve në Prokuori mazhoranca synon të mbrojë Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët drejtësia po synonte t’i vendoste përpara përgjegjësisë. Ne do të përgjigjemi, do reagojmë, marrëdhënie e kushtetuësja ka të bëjë me kthimin e legjimitetit të instituciioneve. Sa kohë mazhoranca do shkelë Kushtetutën, ne s’mund të sillemi sikur jemi në kushte normale”, tha numri dy i PD, Edmond Spaho.