Berisha: Gjoba e urrejtjes patologjike e Ramës për shqiptarët

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar dje pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut ndaj qeverisë shqiptare në lidhje me prishjen e pallatit në Vlorë dhe faturën 13 milionë euro që bie mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë. “Nuk është 13 milionë, por 2 miliardë euro gjoba e urrejtjes patologjike të skizofrenit Edi Rama për shqiptarët! Të dashur miq, javët e para të instalimit në pushtet Edi Rama i kremtoi duke shfryrë urrejtjen shtazore ndaj kundërshtarit politik dhe rrafshuar në kundërshtim flagrant në Vlorë një pallat të tërë vetëm se aksioner në ndërtimin e tij ishte vjehrri i kryetarit të opozitës. Pallati ishte ndërtuar në truall privat në përputhje me planin e qytetit me leje të rregullt të kryetarit socialist të Bashkisë së Vlorës dhe nuk kishte asnjë lidhje me projektin e Lungomares, por vetëm me urrejtjen kafshërore të pakontrolluar të paranojakut me kartelë klinike të botuar, ndaj kundërshtarit politik. Duke përshëndetur këtë vendim të Gjykatës Europiane të Strasburgut informoj shqiptarët se ky është vetëm fillimi, sepse gjobat që Shqipëria po merr e do të marrë nga arbitrazhet ndërkombëtare dhe Gjykatat e vendeve të mëdha si dhe Gjykata e Strasburgut arrijnë që tani, sipas disa burimeve të besueshme, në mbi 2 miliardë euro. Ju siguroj se kjo shumë, që ka lidhje vetëm me katër vitet e shkuara do rritet me shpejtësi çdo javë dhe muaj që Noriega qendron në pushtet. Gjobat e urrejtjes të të sëmurit psikik në krye të ekzekutivit janë një thirrje për çdo shqiptar të përmbysim sa më parë regjimin e tij”, shprehet Berisha në reagimin e tij.