Trump, takim me ligjvënësit mbi politikat e imigracionit

President Donald Trump speaks during a meeting with lawmakers on immigration policy in the Cabinet Room of the White House, Tuesday, Jan. 9, 2018, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci)

Presidenti amerikan Donald Trump u tha ligjvënësve kyç të martën se do të nënshkruante çfarëdo legjislacioni për të cilin ata bien dakord për të mbrojtur qindra mijëra emigrantë të rinj nga deportimi dhe për të përmirësuar sigurinë përgjatë kufirit jugor të vendit me Meksikën.
Në një takim të jashtëzakonshëm të transmetuar nga kanalet televizive në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se reformat gjithëpërfshirëse për imigracionin mund të diskutohej më vonë. Ai tha se ende beson se një mur duhet të ndërtohet përgjatë së paku një pjese të kufirit 3.200 kilometërsh amerikano-meksikan, por duket se ai ka hequr dorë nga kërkesat e mëparshme që ai të financohet menjëherë.
“Kur ky grup vjen tej unë me një marrëveshje do ta nënshkruaj atë”, tha Presidenti Trump.
Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë thuhet: “Presidenti Donald J. Trump sapo përfundoi një takim të suksesshëm dypartiak dhe ligjvënës nga të dyja dhomat e Kongresit për reformën e imigracionit. Gjatë pjesës së takimit që ishte e mbyllur për shtypin, ata arritën një marrëveshje për të negociuar legjislacionin për reforma të nevojshme kritike në katër fusha me përparësi të lartë: siguria kufitare, imigrimi zinxhiror, lotaria e vizave dhe programin DACA “.
Bisedimet në Shtëpinë e Bardhë po ndodhin, ndërsa zoti Trump dhe Kongresi përballen me 19 janarin si afat për të arritur një marrëveshje mbi shpenzimet e qeverisë amerikane deri në fund të shtatorit. Palët kanë qenë të detyruara tre herë të bien dakord mbi plane të përkohshme buxhetore në pamundësi të një marrëveshjeje afatgjatë.
Vitin e kaluar zoti Trump i dha fund një programi të ish-presidentit Barak Obama që mbronte prej dëbimit, 690 mijë a më shumë të rinj emigrantë, të cilët vite më parë u sollën në Amerikë në mënyrë të paligjshme nga prindërit e tyre.