Nëse ikën Wenger, zëvendësuesi i tij do të jetë një italian

E ardhmja e Arsene Wenger në stolin e Arsenalit nuk është asnjëherë e sigurt, sidomos pas humbjes së fundit në Kupën e Anglisë, ndaj mediat britanike bëjnë me dije se trajneri francez mund të largohet në fund të sezonit. Dhe, në rast se kjo gjë ndodh, zëvendësuesi i tij do të jetë trajneri italian Karlo Ançeloti. Sipas “Evening Standard”, Karlo Ançeloti mund të rikthehet në Premier League, por jo si trajner i Chelsea, siç është përfolur kohët e fundit, por si drejtues i “topçinjve”.
Kontrata e Arsene Wenger në krye të Arsenal skadon në verën e 2019-ës, por e ardhmja e tij do të gjykohet nga drejtuesit në fund të sezonit. Ançeloti, 58 vjeç, pëlqehet shumë në Angli dhe drejtuesit e Arsenal e konsiderojnë si një kandidat të fortë, duke parë kurrikulumin e tij të pasur, fitues kudo ku ka drejtuar. Kohët e fundit, trajneri italian është vendosur me shtëpi në Londër, pasi u shkarkua nga Bayern Mynih, pasi aty ka jetuar në vitet 2009-2011, kur drejtonte Chelsea (fitoi edhe titullin).