Naftëtarët sërish në protestë: Duam investitorë seriozë e statusin e naftëtarit

800 naftëtarët e Ballshit i janë rikthyer sot sërish protestave. Të mbledhur përpara uzinës, naftëtarët i kërkojnë qeverisë gjetjen e një investitori të ri e serioz për rafinerinë dhe miratimin e statusit të naftëtarit. Sipas deklaratave të naftëtarëve, drejtuesit aktualë të rafinerisë, të cilët prej muajsh nuk kishin paguar rrogat, janë larguar: “Ramë dakord me zëvendës/ministrin të përshpejtojë procedurën për rifillimin e uzinës në punë, për të gjetur biznesmenë të fuqishëm. Janë afruar tre biznesmenë, tani është në dorë të qeverisë dhe të bankës që e ka këtë me vendim gjykate. Pronari iku përfundimisht, e dorëzoi. Do t’i marrë detyrimet ai që do të vijë”. Lidhur me miratimin e statusit të naftëtarit, punëtorët shprehen se është urgjente të miratohet, megjithë rrezikun e lartë në punë, ata paguhen shumë pak, dhe pagat e tyre jepen gjithnjë me vonesë, megjithëse rafineria ka punuar gjatë gjithë kohës. Përfitimi i statusit të naftëtarit do të siguronte një mbrojtje të punonjësve të rafinerisë nga kompanitë private që e menaxhojnë atë dhe do të bënte të detyrueshme që asnjë naftëtar të mos paguhej më pak se 55 mijë lekë në muaj. Përmes statusit, naftëtarët do të mund të siguronin dhe trajtim mjekësor dhe social special, për shkak të vështirësive në punë.

Tallja e Ramës me naftëtarët

Naftëtarët e Ballshit, pasi udhëtuan kilometra të tëra drejt Tiranës dhe protestuan përpara Ministrisë së Energjetikës, mezi arritën të marrin rrogën. Sot, ata iu janë rikthyer protestave në qytetin e tyre, pasi kërkojnë të vihet në punë Rafineria e ARMO-s dhe të rifillojnë punën. Por Kryeministri i vendit jo vetëm se nuk ka një përgjigje se çfarë do të bëhet me rafinerinë tashmë të falimentuar që ia dha mikut të tij, Besnik Sulaj, por guxon të tallet me naftëtarët. Duke reklamuar ca led wall-e të vendosura në Kryeministri, ai iu bën thirrje naftëtarëve të mos vijnë më për protesta në Tiranë, pasi fare mirë mund të komunikojnë online me ministrin Gjiknuri. Pra, naftëtarët plot halle që mezi morën një rrogë të prapamendur duhet të “rilindin” dhe të flasin përmes ekraneve me qeverinë. Në këtë mënyrë zgjidhen hallet, u sugjeron Kryeministri. “Në Platformë Digjitale ka dhe një hapësirë për të bërë interpelanca. Ashtu si një grup deputetësh mund të thërrasin në interpelancë Kryeministrin apo një ministër, një grup qytetarësh mund të thërrasë në interpelancë në këtë hapësirë që ne e krijuam enkas për këtë punë. Sot faktikisht është dita e parë që ndizen këto ekrane dhe shpresoj që të jenë të ndezura në mënyrë sistematike, për të dhënë llogari për një çështje të caktuar përpara. P.sh., patëm një rast konkret me një grup naftëtarësh në zonën e Fierit, që morën rrugën për të ardhur në Tiranë. Sigurisht që edhe rruga për të ardhur në Tiranë dhe rruga për të protestuar përpara një institucioni nga një grup interesi është një rrugë demokratike, nuk diskutohet, por përpara se të vihej këtu, fare mirë, nëpërmjet Platformës mund të kërkohej një interpelancë këtu me ministrin e Energjisë. Unë i siguroj të gjithë se kjo do të ndodhë. Ky nuk është një film. Ky është një realitet i ri, që ne po mundohemi të krijojmë duke shfrytëzuar teknologjinë, duke shfrytëzuar mundësinë e lidhjes përmes internetit në platformë, duke shfrytëzuar edhe këtë mundësi”.