Grabitje me dhunë në mes të ditës në Tiranë dhe Korçë

Grabitjet nën kërcënimin e armëve janë shtuar së tepërmi gjatë ditëve të fundit. Vetëm ditën e djeshme kanë ndodhur dy grabitje në Tiranë dhe në Korçë. Një vjedhje me dhunë ka ndodhur në një butik në “rrugën e Durrësit” në Tiranë, ku një person ka marrë një sasi lekësh dhe disa bizhuteri. Policia bën me dije se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, teksa janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë, këqyrja e së cilave pritet të çojë hetuesit te autori.
“Dje, në rrugën e “Durrësit”, një person i panjohur ka vjedhur me dhunë dyqanin butik në administrim të shtetases K.B, 18 vjeç, banuese në Tiranë, ku kanë marrë disa bizhuteri dhe një shumë lekësh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton Policia.
Ndërkohë, një banesë është grabitur në mes të ditës në qytetin e Korçës. Ngjarja është regjistruar ditën e djeshme në lagjen Nr.4 të qytetit. Pronarët e banesës kanë qenë në punë në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe kjo me sa duket është shfrytëzuar nga grabitësit, të cilët me sa duket kanë qenë të informuar.
Nuk dihet sasia e parave të marra nga banesa. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre. Në qytetin e Korçës janë regjistruar shumë vjedhje gjatë muajve të fundit.