Boçi: Skandaloze, si po abuzohet me nxënësit e shkollave

Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka denoncuar një rast abuzimi me nxënësit e shkollave në Tiranë, shkaktuar prej një pyetësori të formuluar pa kurrfarë vëmendjeje nga Ministria e Arsimit lidhur me ngacmimet dhe dhunën ndaj nxënësve dhe që e ka bërë atë vetë si pedagog dhe prind, të ngrejë pyetjen: “Pyetësor apo …?!”. Qysh në krye të bie sy sesi Ministria ka radhitur një mori ngacmimesh me fjalë të ngjitura çuditshëm me njëra-tjetrën, si “mëkanëshkulurflokët’, thua se po testonte inteligjencën e nxënësve. Ky duket se është problemi më i vogël që paraqet testi në fjalë, siç mund të shihet në vjim. “DAR Qarku Tiranë, – shkruan Boçi, – ka shpërndarë nga dje një pyetësor për nxënësit e klasave 6-9. Përpos që gjuhësisht është me gabime skandaloze (fjalë të bashkuara), ai përmban pyetje që kanë sjellë reagimin e fortë të prindërve. Shumë prej pyetjeve të renditura duhet të bëhen vetëm me praninë e psikologut ose të prindit dhe vetëm individualisht e jo me shkrim e kolektivisht në klasë. Por kjo nuk ka penguar formuluesit, duke i vënë kështu nxënësit në një situatë aspak të lehtë dhe jo pa pasoja në mënyrën se si do ta shohin shkollën pas kësaj. Ndërkohë nuk është e qartë, nëse këtë e ka orientuar vetë Ministria apo është iniciativë e DAR Tiranë!?”