“Benz”-i bie në lumin Mat, vdes drejtuesi

Një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në ujërat e lumit Mat. Për pasojë, një person i pajetë është gjetur në afërsi të lumit që sipas Policisë së Shtetit dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit. Ai është identifikuar si Viktor Marku. Ngjarja ka ndodhur në rrugën dytësore Pllanë-Rrubik. Policia sqaron se automjeti tip “Benz” është me targa AA 272 JN.
Policia bëri të ditur se mjeti ka qenë në lëvizje nga Miloti në drejtim të fshatit Berzane. Policia bën me dije se ka nxjerrë nga lumi mjetin tip “Benz” dhe nga kontrolli në brendësi të mjetit nuk është konstatuar ndonjë shtetas tjetër. Policia po heton për rastin për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, një tjetër aksident ndodhi ditën e djeshme në aksin Korçë-Pogradec ku si pasojë dy vajza mbetën të plagosura nga përplasja e dy automjeteve. Policia bëri të ditur se, aksidenti ndodhi mesditën e së mërkurës pranë fshatit Dishnicë në aksin Korçë-Pogradec ku u përfshinë një mjet tip “Audi” dhe një tjetër “BMW”.
Dy vajzat e plagosura, 28 dhe 20 vjeçe përkatësisht nga Bilishti dhe Rrësheni udhëtonin si pasagjere në mjetet e përplasura. Ato janë dërguar në Spitalin e Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.