Protestë në Fier, banorët bllokojnë rrugën

Banorët e fshatit Daullas në Njësinë Administrative Qendër protestuan dje për amortizimin e rrugës, duke bllokuar aksin rrugor që lidh qytetin e Fierit me tre fshatra Mujalli, Grecalli dhe Daullas. Bëhet fjalë për më pak se 1 km rrugë, por banorët thonë se mbi 30 vjet pa u bërë asnjë investim.
“Jemi shumë afër qytetit dhe çdo kontakt e kemi me qytetin. Këtu nuk ka as dentist, as farmacist, shumë shërbime që ne i kemi të lidhura me qytetin. Çdo ditë jemi të detyruar të shkojmë 2-3 herë në Fier. Është e përditshme. Përfaqësuesit e Bashkisë nuk kanë ardhur fare të diskutojnë me ne, thonë se rruga do të bëhet kur të mbarojë autostrada. Ne nuk mund të presim. Bllokimi i rrugës ka ardhur si revoltë e të gjithë zonës, rruga ka qenë në gjendje të keqe prej dekadash, por tani është bërë më keq. Kjo nuk është protestë politike, është protestë e banorëve të kësaj zone. Ne do të protestojmë përsëri, do të shkojmë të protestojmë tek Bashkia”, u shpreh një nga protestuesit.
Rruga e vetme qe i lidh me qytetin sipas banorëve është prishur edhe nga automjetet e rënda që kanë punuar për ndërtimin e Bypasit të Fierit që kalon pranë Daullasit. “10 kilometra rrugë është pse nuk shtrohet”, thotë një prej protestuesve.
Banorët janë shprehur se do t’i përshkallëzojnë protestat, për më tepër tani, që punimet për ndërtimin e bybassit janë ndërprerë dhe nuk ka një informacion se kur do të fillojnë. Ata kërkojnë rehabilitimin e rrugës, e cila krijon vështirësi të shumta komunikimi me qytetin.
Policia ka ndërhyrë për të zhbllokuar rrugën, duke deklaruar se banorët nuk kanë bërë kërkesë për protestë. Ndërkohë banorët paralajmëruan se nuk do të ndalojnë protestat deri në zgjidhjen e problemit të tyre. Ata deklaruan se do të zhvendosin protestat tek Bashkia e Fierit.