Maskat grabisin në kërcënimin e armëve pikën e këmbimit valutor

Një pikë e këmbimit valutor është grabitur nga persona të armatosur në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 17:30 në zonën pranë prefektures përballë “Shtëpisë së Oficerëve”. Paraprakisht mësohet se autorët kanë qenë dy persona, që të dy të maskuar dhe të armatosur. Sipas burimeve nga Policia e Fierit, dy personat e maskuar me kapuçë janë futur në biznesin e L.Z. dhe nën kërcënimin e armëve të zjarrit kanë grabitur shumën monetare. Policia bëri të ditur se maskat kanë arritur të grabisin 700 mijë lekë të vjetra në Exchange që ndodhet në lagjen “Kastrioti”.
Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishte asnjë të ndaluar nga policia. Kjo është hera e dytë që e njëjta pikë këmbimi valutor grabitet nga persona të armatosur dhe të maskuar.