Ballina Aktualitet Mafia në Prokurori, presion prokurorëve të dorëhiqen!

Mafia në Prokurori, presion prokurorëve të dorëhiqen!

Kamikazja e Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme, Arta Marku po zbaton urdhërat e mafias për largimet e drejtuesve të prokurorive të rretheve. Kryeprokurorja e përkohshme u ka kërkuar të gjithë drejtuesve të prokurorive në rrethe që të japin dorëheqjen për t’i zëvendësuar ata me njerëz partiakë sipas porosisë së Ramës. Vetëm ditën e djeshme, ajo ka firmosur 4 largime prokurorësh, pasi ata nuk pranuan të dorëhiqen, duke i zëvendësuar me prokurorë partiakë apo prokurorë që kanë mbyllur dosjet e drogës së njerëzve të lartë të PS, siç është rasti i të emëruarës në Prokurorinë e Durrësit, Donika Prenga, e cila liroi djalin e Gramoz Ruçit, që ishte arrestuar për drogë.
Zyra e kabinetit njofton se, kreu i përkohshëm i akuzës ka vijuar me lëvizje të reja duke vendosur emra të rinj në krye të katër prokurorive në rrethe.
Marku largoi nga drejtimi i Prokurorisë së Durrësit, Agron Gjanën, që e komandoi përkohësisht në Prokurorinë e Pukës. Ai zëvendësohet nga Donika Prenga, një nga ish-vartëset e tij në këtë prokurori. Në rrokadë emrash janë përfshirë edhe prokuroritë e Fierit, Kukësit dhe Elbasanit, ku shefat e vjetër janë kthyer në detyrat e mëparshme të prokurorëve të thjeshtë, ndërsa të rinjtë marrin detyrën si të caktuar, një risi kjo e paketës së Reformës në Drejtësi që tregon kompetencat e Prokurores së Përgjithshme derisa të ngrihet organi qeverisës i akuzës. Në krye të Prokurorisë së Elbasanit u vendos Ardian Nezha, i cili për shumë kohë ka qenë i larguar nga Krimet e Rënda në Pukë.
Njeriu që ai zëvendësoi, ish-kryeprokurori i Elbasanit, Dritan Gina, i cili kthehet në Tiranë, aty ku ka patur më herët emërimin e kundërshtoi këtë vendim.
Në fakt kundërshtime ka patur për vendimet e Markut edhe bashkëshortja e Ginës, Rovena Gashi, e cila më herët nga drejtore e Marrëdhënieve Juridiksionale zbriti në prokurore sektori të dekrimiminalizimit.
Por Gashi ka paditur Markun në Gjykaten Administrative me argumentin së urdhri i kamikazes së Ramës nuk bazohet në asnjë dispozitë. “Jam shkarkuar”, thotë Gashi në padi, “me argumentin e ndryshimit të strukturës, por struktura ende nuk ka ndryshuar”, ndërkohë që vendimi i Prokurores së Përgjithshme për largim nga detyra e drejtores është i paarsyetuar.
Po ashtu edhe Prokurori i Durrësit, Agron Gjana e ka kundërshtuar shkarkimin nga Marku.
Ndërkohë nga Prokuroria e Përgjithshme nuk ka ende një përgjigje për këto reagime, megjithëse kabineti Marku i ka paraprirë çdo zëri në krye të herës, ku njofton se ndryshimet u bënë për riorganizim, mirëfunksionim, rritje performance dhe besueshmërie tek publiku.
Liroi djalin e Ruçit me drogë emërohet kryeprokurore në Durrës
Kamikazja e Ramës emëroi dje drejtuese të Prokurorisë së Durrësit, prokuroren që liroi djalin e Gramoz Ruçit të kapur me drogë. Prokurorja Donika Prenga në vitin 2012, rrëzoi akuzat për djalin e Gramoz Ruçit, i cili u kap me drogë në makinë dhe në këtë mënyrë, ai mundi që t’i shpëtonte burgut. Dje, ajo u emërua kryeprokurore në Durrës nga Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Shkrimi i botuar nga gazeta “Panorama” në vitin 2012 për këtë ngjarje:
Prokuroria kërkoi detyrim paraqitjeje. Avokatët: Akti i kontrollit, i stisur, u përgatit 5 ditë më parë
Bie akuza për drogën në makinë. Ndalimi cilësohet i paligjshëm Ledio Ruçi, djali i deputetit të PS-së, fiton në sallën e gjyqit lirinë e munguar prej 70 orësh. Ndalimi i tij u quajt i paligjshëm, duke iu hedhur poshtë nga Gjykata dyshimi i Prokurorisë për akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Trupi gjykues, përfaqësuar nga Kastriot Selita, ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ledio Ruçin dhe urdhëroi lirimin e tij në sallën e gjyqit.
Seanca gjyqësore ndaj 28-vjeçarit Ruçi u zhvillua mesditën e djeshme. Rreth orës 12:00, i riu, ndaluar pasditen e së hënës, pasi në makinën e tij u gjet 1.5 gramë kanabis, ka hyrë i shoqëruar me punonjës të policisë në godinën e Gjykatës. Ai përfaqësohej nga dy avokatë, ndërsa në sallën ku u zhvillua seanca ndodhej i pranishëm vetëm një shok i tij.
Përfaqësuesja e Prokurorisë së Durrësit, Donika Prenga, e ka cilësuar që në fillim të paligjshëm kontrollin e dytë në makinën e Ruçit, por ka pranuar si të ligjshëm ndalimin dhe gjetjen e provave, pikërisht qesen e drogës. Prokurorja është rikthyer dhe një herë në datën 27 janar, kur makina me targa zyrtare e familjes së deputetit, TR 0141 Z, u ndal në një postbllok të Policisë së Durrësit. Sipas organit të akuzës, më 27 janar, në këtë makinë u ushtrua kontroll, ku u zbulua një armë sportive me dylbi. Menjëherë u arrestua Lori Kelolli, shoku i drejtuesit të makinës, Ledio Ruçi, ndërsa makina me targa Z u bllokua për mungesë dokumentacioni. Pas tri ditësh, Gjykata e Durrësit e liroi Kelollin, pasi arma rezultoi me leje. Të njëjtën ditë, oficerët e Policisë së Durrësit i kanë kërkuar të riut Ruçi që të lëvizte makinën që kishte bllokuar një tjetër mjet në pikën e bllokimit në Shkozet. Sipas prokurores, më 30 janar, në orën 14:00, efektivat të Antidrogës dhe të Rendit, në prani të vetë të pandehurit Ruçi, kanë ushtruar një kontroll të dytë në automjet, ku u gjet në cilësinë e provës materiale 1.5 gramë kanabis sativa. Ky kontroll është quajtur i paligjshëm nga ana e prokurores, ndërsa ndaj Ledio Ruçit ngre dyshimin si autor i veprës penale të prodhimit dhe trafikimit të drogës. Megjithatë, ajo kërkoi dje nga trupi gjykues masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ruçin, deri në fund të hetimeve, që sipas saj korrespondojnë me kryerjen e ekspertimit mbi shenjat e gishtave dhe prova të tjera që të provojnë se droga i përkiste atij.
Pas akuzës e morën fjalën dy avokatët mbrojtës, Saimir Visha dhe Arjan Selati, të cilët e quajtën si të pavlefshëm procesverbalin e dytë të mbajtur nga gjashtë efektivat e Policisë së Durrësit, dy prej të cilëve agjentë të Antidrogës. Sipas avokatëve, nga kontrolli i parë, siç rezulton në procesverbal, është gjetur vetëm një armë sportive dhe nuk flitet për asnjë sasi droge. “Automjeti që prej datës 27 janar ka qenë në posedim të policisë, ku Ledio Ruçi nuk kishte akses për ta përdorur, ndaj kontrolli i dytë i ushtruar vetëm pas tri ditësh, në prani edhe të dy agjentëve të Antidrogës, të cilët edhe në kontrollin e parë kanë qenë të pranishëm, nuk është i vlefshëm”, thanë avokatët. Një tjetër fakt që ka shërbyer për të shpallur pavlefshmërinë e kontrollit të dytë ndaj Ruçit ka qenë data e shënuar gabim në procesverbalin e këtij kontrolli. Ai mban datën 25 janar dhe jo 30 janar. Sipas avokatëve urdhër-ndalimi ishte lëshuar pesë ditë para ndalimit të Ledio Ruçit, çka do të thotë se gjithçka ka qenë e stisur. Pas 50 minutash seancë, gjyqtari ka dhënë vendimin e tij, duke rrëzuar në bazë të argumenteve kërkesën e Prokurorisë. Ai ka deklaruar se bazuar në Kodin e Procedurës Penale, ndalimi më 30 janar i Ledio Ruçit është i paligjshëm, pasi kontrolli i kryer në makinë më 27 janar nuk kishte gjetur asgjë ilegale. Në këtë mënyrë u urdhërua lirimi i tij në sallën e gjyqit. Sapo ka mbaruar fjalën gjyqtari, Ruçi është lënë i lirë të dalë nga Gjykata dhe të kthehet në Tiranë pas rreth 3 ditë izolimi.

U shkarkua pse u hoqi mandatet dy deputetëve të Ramës, prokurorja padit Kryeprokuroren

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku do të përballet me padinë e parë për ndryshimet që bëri me t’u ulur në karrige. Prokurorja Rovena Gashi, e liruar pak ditë më parë nga pozicioni i drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe shefes së Dekriminalizimit ka paditur në Gjykatën Administrative, Arta Markun. Gashi kërkon nga Gjykata pezullimin e urdhërit për lirimin e saj, si edhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të urdhërit Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Arsyeja me të cilën Prokurorja e përkohshme largoi Gashin nga detyra ka të bëjë me kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit të deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.
Me dërgimin e kërkesave në KQZ, prokurorja ka informuar zyrtarisht edhe Kryeprokuroren për vendimmarrjen e saj. Por, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme duket se është ndjerë e anashkaluar, pasi vendimmarrja e Gashit nuk është konsultuar paraprakisht me titullaren. Për këtë arsye, Marku ka vendosur të shkarkojë prokuroren Gashi, urdhër që tashmë do të presë vendimin e Gjykatës.
Ndërkohë pas lëvizjeve të para, Kryeprokurorja e përkohshme është duke përgatitur dhe një valë të re shkarkimesh kryesisht tek drejtuesit e rretheve. Edhe pse u etiketua si e përkohshme dhe e kontestuar për mënyrën si u zgjodh, Arta Marku nuk duket të veprojë si e tillë. Në pozicionin e kryeprokurores së Përgjithshme ajo duhet të njohë mirë ligjin për funksionimin e Prokurorisë, ndërkohë që si prokurore e vetmja çështje e saj në Gjykatë është fituar nga pala paditëse.
Më poshtë janë renditur shkeljet mbi bazën e të cilave prokurorja Rovena Gashi e konsideron të paligjshëm vendimin për shkarkimin e saj.
Së pari, urdhëri i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme nuk bazohet në asnjë dispozitë ligjore. Arta Marku, në pozicionin e saj, ushtron funksionet në bazë të dispozitave kalimtare, të parashikuara në nenin 160 të Ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Në asnjë prej dispozitave kalimtare, nuk parashikohet mundësia e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm për përcaktimin, miratimin apo ndryshimin e strukturës së institucionit;
Së dyti, edhe nëse do të kishte kompetencë për ndryshimin e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka miratuar asnjë urdhër për ndryshime në organikë.
Pra, Rovena Gashi është shkarkuar me argumentimin e ndryshimit të strukturës, ndërkohë që, të paktën deri në dorëzimin e padisë, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka firmosur asnjë urdhër për ndryshimin e strukturës.
Së treti, ligjvënësi ka parashikuar një mbrojtje të posaçme për prokurorët në detyrë gjatë kohës së ushtrimit të funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ligji 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, për të shmangur veprime abuzuese nga kryeprokurori i përkohshëm, në nenin 110 të tij i ka dhënë mbrojtjen maksimale që garantohet nga Ligji Nr.96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë», pikërisht për të garantuar parimin kushtetues të pavarësisë së prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Në këtë kuadër, vlerëson paditësja Gashi, përtej kapërcimit abuziv të kompetencave prej Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, kjo e fundit nuk ka të drejtë të bëjë shkarkime të Prokurorëve nga detyrat që ata mbajnë në kohën e hyrjes në fuqi të këtyre ligjeve.
Së katërti, urdhëri i Prokurorës së Përgjithshme të Përkohshme për shkarkimin e prokurores Gashi nga detyra e drejtorit është i paarsyetuar.
Mungesa e arsyetimit të këtij akti individual lirimi, i cili sjell pasoja të drejtëpërdrejta për paditësen, e bën këtë akt administrativ absolutisht të pavlefshëm, kjo referuar dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.
Në padinë e prokurores Gashi, zbulohet edhe një detaj interesant i përplasjes ndërmjet Kryeprokurores së Përkohshme dhe ish-drejtoreshës. Përtej sa ka argumentuar:
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në zyrën e saj, në prani të dy prokurorëve të tjerë në Prokurorinë e Përgjithshme me funksione drejtuese, dhe konkretisht Adnan Xholi, drejtor i Drejtorisë Gjyqësore dhe Thoma Jano, drejtor i Drejtorisë së Përgjimeve, i ka deklaruar paditeses Rovena Gashi se; «Dërgimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të vendimeve të Sektorit të Dekriminalizimit, në lidhje me rezultatat e verifikimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, pa u konsultuar paraprakisht me të dhe pa firmën e saj, përbën shkelje ligjore dhe etike. Për këtë qëllim, lirohesh nga detyra e drejtorit të kësaj Drejtorie”.
Pra, përtej argumentit zyrtar të riorganizimit, lëvizja e prokurores Gashi lidhet drejtpërdrejtë me vendimmarrjen e saj për deputetët Rakipi dhe Rehovica.
Në fakt, argumenton Gashi në padinë e saj, ajo ka vepruar në përputhje me urdhërat e Prokurorit të Përgjithshëm, ende në fuqi, të cilët e autorizonin atë si shefe e sektorit të Dekriminalizimit për të zhvilluar komunikimin zyrtar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, nisur edhe nga vendimmarrja e KQZ-së, e cila pranoi kërkesat e dërguara nga Rovena Gashi dhe u ndërpreu mandatin dy deputetëve, rezulton e konfirmuar se veprimtaria e saj ka qenë tërësisht në përputhje me ligjin.

Exit mobile version