Rama çon drejt lirimit nga burgu edhe vrasësin Frroku

Gjykata e Apelit ka ulur dënimin për ish-deputetin e mazhorancës, Mark Frroku. Frroku më parë ishte dënuar me 7 vite e 5 muaj burg, ndërsa Apeli i ka hequr akuzën e vrasjes dhe i ka ulur 1.5 vjet të dënimit. Frroku është dënuar për fshehje pasurie dhe të ardhurat. Frroku kishte kërkuar pafajësi në Gjykatën e Apelit, por kjo e fundit i ka hequr 17 muaj nga dënimi, duke e dënuar me 6 vite burg.
Ish-deputeti i mazhorancës u dënua në korrik të vitit të kaluar me 7 vite e 6 muaj heqje lirie, për akuzën e pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe ndërtim i paligjshëm. Prokuroria kërkoi 25 vite burg për Frrokun për akuzën e vrasjes. Frroku u shpall i pafajshëm nga Apeli për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në vitin 1999, duke lënë në fuqi për këtë vepër penale vendimin e Shkallës së Parë.
Ankimimi në Apel ishte bërë nga të dyja palët, pasi Mark Frroku pretendonte pafajësi për të gjitha akuzat. Ndërsa Prokuroria kërkonte dënimin e ish-deputetit me 25 vite burg për vrasjen e 19 viteve më parë. Gjatë gjykimit në Shkallën e Parë, togat e zeza rrëzuan dëshmitë e disa oficerëve belgë, të cilët u pyetën në Gjykatën e Tiranës.
Ata patën deklaruar se, Frroku sëbashku me Kristian Marinajn kishin vrarë Aleksandër Kurtin. Edhe Marinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata për akuzën e vrasjes. Mark Frroku u arrestua në mars të 2015-ës për ‘çështjen Doshi’, por më pas u shtuan edhe akuzat e tjera.

Si u fut në grackë viktima dhe u vra nga Mark Frroku

Mark Frroku u akuzua nga Prokuroria belge për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti, krim ky i ndodhur më 5 mars 1999. Vrasja ka ndodhur për shkak se një klient i një prej femrave që dyshohet se shfrytëzohen nga Mark Frroku, kishte rënë në dashuri me një prej prostitutave. Viktima kishte lënë takim me prostitutën L.S, kur ra në grackë dhe u vra nga Mark Frroku.
Mark Frroku gjatë qëndrimit në Belgjikë në kohën kur ka ndodhur vrasja, njihej me disa emra, konkretisht identitetet e përdorura prej tij sipas akuzës kanë qenë edhe: Besnik Morina, Dritan Frroku, Dritan Sofrani dhe Piro Sofrani.
Aleksandër Kurti u qëllua me thikë për vdekje nga 4 persona, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Sent-Zhille, Bruksel. Sipas Prokurorisë, referuar autoriteteve belge, Mark Frroku, besohet se është autor i përfshirë në këtë ngjarje. Frroku ishte i identifikuar nga autoritetet belge me emrin Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, apo edhe i njohur si Piro Sfrani (Sofrani). Disa dëshmitarë, i kanë treguar hetuesve belgë se Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë.

Vrasja në Belgjikë

Më datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint–Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarjeje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sfrani (Sofrani).
Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve.
Vajza me iniciale L.S. kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes (fakteve). Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të.
Kristian Kristian, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes. Një nga autorët e veprës penale të “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim, të viktimës Aleksandër Kurti më datë 05.03.1999, në Bruksel, është shtetasi Mark Frroku, ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik Morina, Besnik Vuka, Arjan Bytyçi dhe Bib Lek Djafa, Gjykata e Krimeve të Rënda të Rrethit të Brukselit ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie.
Duke qenë se nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit, me vendimin e datës 24 mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Wallon, Belgjikë.
Avokati i të akuzuarit Besnik Morina, i identifikuar si Mark Frroku, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore të datës 31 janar 2014 për në datën 23 shkurt 2015.
Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Mark Frroku për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim.

R.POLISI