Kadri Morina nderohet me çmimin “Sokrates”

Në Samitin e Liderëve Botërorë të Biznesit që u mbajt në Oksford Shqipëria përfaqësohej nga Presidenti i EUROSIG dhe INSIG Kadri Morina.
Biznesmeni shqiptar prezantoi përpara sipërmarrësve dhe përfaqësuesve të botës akademike nga 55 vende të botës potencialet për investime në vendin tonë.
Samiti i Liderëve Botërorë të Biznesit kishte në fokus tendencat inovative në biznes, arsim, menaxhimin dhe rolet e përgjegjësitë e liderëve të biznesit në botën moderne.
Biznesmeni i njohur shqiptar në fushën e sigurimeve u nderua me Çmimin “Sokrates” nga drejtori i Përgjithshëm i Europe Business Assembly, Profesori John Netting.
“Ndihem i privilegjuar që jam këtu, pranë shumë biznesmenëve të suksesshëm. Ne e filluam aktivitetin tonë në një fushë të re, pasi ambicia jonë ishte edhe për industrinë e sigurimeve. EUROSIG është një kompani me kapital tërësisht shqiptar dhe shumë shpejt, kjo kompani, zuri një vend të rëndësishëm në tregun shqiptar të sigurimeve. Sot ofron paketa të plota të shërbimeve dhe aktiviteteve, duke u renditur ndër kompanitë më prestigjioze”, shprehet z.Morina. Në të vërtetë gjiganti EUROSIG&INSIG që ai themeloi dhe që e drejton me kompetencë, profesionalizëm e përkushtim është ndër më të vlerësuarit e vitit 2017 nga institucione vendase e ndërkombëtare. Vetë z.Morina ka marrë disa çmime që e radhisin atë ndër biznesmenët shqiptarë më të suksesshëm.
“Kompania me trendin më të lartë të rritjes në Shqipëri nuk mund të qëndronte vetëm brenda kufijve administrativë të Shqipërisë, por duhej të zgjerohej edhe më tej në rajon, ku ka edhe shqiptarë, por edhe të tjerë. Gjatë vitit 2015, EUROSIG zgjeroi investimet e saj në Kosovë, duke zënë vendin e parë në tregun e sigurimeve. Ndërkohë, për të katërtin vit radhazi, EUROSIG është klasifikuar si kompania me trendin më të lartë të rritjes në tregun e sigurimeve dhe me normat më të larta të pagesave të dëmeve. Gjithashtu, EUROSIG është vlerësuar me çmimin ‘Zgjedhja më e mirë në Shqipëri’ në tregun e sigurimeve nga Superbrands me qendër në Londër”, theksoi z.Morina.
Aktualisht EUROSIG ka mbi 3000 punonjës në të gjithë rajonin. Majin e 2016 investoi 16 milionë euro në blerjen e kompanisë së parë të sigurimeve në Shqipëri, INSIG. Sfida e ardhshme tregoi Presidenti Morina është zgjerimi në tregun europian të sigurimeve.