Paralajmërimi i Palokës: Nuk do ketë asnjë peshk të madh

Nënkryetari i PD, Edi Paloka paralajmëroi dje se, lirimi i Orest Sotës është fundi i drejtësisë shqiptare në luftën kundër narkotrafikut, pavarësisht dosjeve voluminoze e provave të pakundërshtueshme që gjenden në tavolinën e kryeprokurores. Paloka reagoi ashpër dje pas lirimit të Orest Sotës, ndërsa e cilësoi këtë vendim si nisjen e veprimtarisë së Ramës si kryeprokuror.
“Efektet e Edi Ramës kryeprokuror po godasin çdo ditë drejtësinë dhe po i japin mbrojtje nga ligji çdokujt që implikon Saimir Tahirin në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Lirimi nga arresti me burg i Orest Sotës, në makinën e të cilit u gjetën 863 mijë euro dhe, bashkë me paratë e hedhura në sediljen e makinës, edhe patentat e Saimir Tahirit, është një fakt tjetër se Edi Rama kontrollon pika kyçe të sistemit të drejtësisë.
Partia Demokratike e ka shprehur shqetësimin e saj që në 22 nëntor, kur paralajmëroi se, Edi Rama po bënte gjithçka për të mbrojtur Saimir Tahirin dhe, nëpërmjet tij, edhe Orest Sotën.
Publikimi në media i pohimit të Ramës para deputetëve socialistë më 21 nëntor, se “gjetja e patentave në makinën e Sotës nuk është një fakt për të cilin Saimir Tahiri duhet të shqetësohet”, ishtë mesazh për pengimin e drejtësisë.
Nuk ka njeri sot të besojë që 863 mijë eurot, nuk ishin as për të blerë hekur, as për të blerë ilaçe. 863 mijë eurot janë një pjesë e pasurisë kriminale të pronarit të patentave, Saimir Tahirit”, u shpreh Paloka.
“Shqiptarët kanë dëgjuar me veshët e tyre sesi ministri i Brendshëm ishte pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës. Materialet audio të publikuara nga portali Politiko.al konfirmojnë:
Se makina e ministrit të Brendshëm u përdor nga kushërinjtë e tij, Habilaj, për t’i bërë presion policisë, në mënyrë që ata të punonin të qetë me trafikun e drogës.
Se Saimir Tahiri e ka njohur italianin, me të cilin punonin Habilajt në Itali.
Se Partia Socialiste ka blerë vota për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur atë”, tha Paloka.
Në emër të PD, Paloka ftoi të gjitha mediat e vendit të vazhdojnë investigimin për çështjen “Tahiri”, pavarësisht pengesave nga Edi Rama. “Partia Demokratike fton televizionet kombëtare dhe lokale të publikojnë materialet audio të bisedave të trafikantëve, që kanë patur nën kontroll qeverinë shqiptare për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ne e dime se marrja nën kontroll e Prokurorisë e bën të paprekshëm Saimir Tahirin, Orest Sotën dhe këdo që mund t’i trondisë Edi Ramës pushtetin e bazuar tek krimi, droga dhe blerja e votës. Me Edi Ramën kryeprokuror është e sigurt se nuk do të ketë asnjë peshk të madh në rrjetën e drejtësisë.
Partia Demokratike, si shumica e shqiptarëve, është e bindur se drejtësia do të jetë e pafuqishme të luftojë krimin dhe drogën derisa në krye të qeverisë të jetë Edi Rama. Vetëm me largimin e Edi Ramës do të ketë garanci për luftën kundër krimit të organizuar dhe vetëm atëherë peshqit e mëdhenj do të bien në rrjetën e drejtësisë së pakapur”, u shpreh Paloka.