Taksat, infrastruktura dhe energjia pengojnë rritjen ekonomike

 

Instituti britanik për kërkime ekonomike dhe biznesin, që është më i madhi në Britani dhe ndër më prestigjiozët në nivel global, në raportin që mban titullin “Liga ekonomike botërore 2018”, i siguruar nga SCAN, veçse jep projeksione deri në vitin 2032 për ekonominë shqiptare, analizon edhe situatën e ekonomisë së vendit aktualisht, si dhe evidenton problemet kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare. Një ndër rreziqet kryesore që evidenton raporti, është ai i rrezikut të ngadalësimit të investimeve të huaja, pasi të përfundojnë këto që janë aktualisht, pra TAP dhe Devolli. Ky rrezik është nënvizuar thuajse nga të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare. Duke qenë se këto dy projekte madhore kanë qenë ndër nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike pranë niveleve aktuale, ngadalësimi i parave që injektojnë në sistem projekte të tilla, rrezikon të minojë normat e rritjes. Nga ana tjetër, barrierat rregullatore, sistemi inefikas i taksimit, si dhe aksesi i limituar në shërbimet financiare kanë parandaluar rritjen e sektorit privat në Shqipëri, thuhet më tej mes rreshtave në këtë raport. Qeveria, thuhet më tej, po ndërmerr hapa për të përmirësuar klimën e biznesit, nëpërmjet reformave të taksave dhe ligjeve, që do të promovojnë një rritje më të shpejtë. “Ndër të tjera, ka një hendek mjaft të madh në infrastrukturë, që është edhe ajo që pengon rritjen e prodhimit”, thotë instituti britanik për kërkime ekonomike. Vijimi i reformës në energji shihet si një ndër prioritetet kyçe, pasi “arritja e stabilitetit në sektorin energjetik është parësore në rritjen e qëndrueshme ekonomike në afatmesëm”, mbyllet kapitulli dedikuar Shqipërisë, ekonomisë së 125-të në botë, ndër 192.