Shullazi 2 orë dëshmi në Gjykatë për kërcënimet dhe gjobëvëniet

Për herë të parë që kur ka nisur gjykimi, Emiljano Shullazi ka folur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke mohuar të gjitha akuzat në ngarkim të tij. Për afro 120 minuta i pandehuri është përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë për kërcënimin dhe gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja si dhe dy akademikëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, duke theksuar se gjithçka ishte e pavërtetë dhe e sajuar.
Në lidhje me kërcënimin ndaj biznesmenit Beqja, Shullazi ka deklaruar se kishte kryer vetëm rolin e ndërmjetësit. “Ylvi Beqja më erdhi tek shtëpia dhe më tha se dua të më ndihmosh, ai donte që të ndërmjetësojë në palën tjetër që ishin arabë dhe Zamir Hasa”, u shpreh Shullazi. Sipas tij, kishin rënë dakord se, nëse do të merrte “Vollgën”, Shullazi do të merrte 1.4 milionë euro nga shitja. Më pas i pandehuri tha se, bëmë një kontratë tjetër që do të merrja 10% kur ta regjistronte, por ndërkohë vlera e ish-hotel “Vollgës” po binte.
Gjithashtu, Shullazi ka deklaruar se në lidhje me gjyqet e Ylvi Beqajt, i kishte dërguar edhe një sms gjyqtares së Apelit, Fatmira Hajdari. Pa treguar përmbajtjen e mesazhit, Shullazi pranoi se i kishte shkruar gjyqtares së Apelit, Fatmira Hajdari. Por ndërsa dëshmitari i drejtësisë ka treguar se ai është kërcënuar me armë para noteres Aida Spahiu gjatë firmosjes së kontratës së dytë me Shullazin, i akuzuari e përshkroi situatën miqësore. “Nuk është e vërtetë”, kundërshtoi Shullazi, “nuk e kam kërcënuar, madje pasi firmosëm, ai më puthi shtatë herë në faqe”.
Si ndërmjetësues për të zgjidhur probleme, Shullazi ishte kontaktuar edhe nga shtetasi Fatmir Sinani, i cili pas humbjeve të herëpashershme në lojërat e fatit kishte shitur garazhet. Por, ndërsa Sinani ka kërkuar ndihmën e Shullazit për rikthimin e tyre, pronari i ri Jani Zaka sipas Shullazit i kishte thënë se prona i përkiste atij. Për episodin e tretë, për kanosjen e profesorëve Dhori Kule e Mynyr Koni, Emiliano Shullazi ironizoi duke kujtuar se ai nuk është i diplomuar në fakultet e për këtë nuk i ka njohur kurrë profesorët.
Në lidhje me kërcënimet e rektorëve, Shullazi ka mohuar t’i ketë kërcënuar ata dhe ka deklaruar se, “jo vetëm që nuk i kam kërcanuar, por as nuk i njoh dhe as kam nga t’i njoh, pasi nuk kam bërë as shkollë të lartë”. Të njëjtin qëndrim i pandehuri mbajti edhe ndaj kërcënimit të Jani Zakës dhe Adriatik Kërçukut, dy persona këta për të cilët Prokuroria ka pretenduar se janë kërcënuar nga i pandehuri.
I akuzuari Emiljano Shullazi është bërë pronar i 20 për qind të hotel “Vollgës” përmes një kontrate dhurimi të firmosur nga Ylvi Beqja. Prokuroria dyshon se, kompania “Saudit Brother”, administrator i së cilës ishte Beqja, është detyruar nëpërmjet kërcënimeve dhe presionit t’i japë 20 për qind të pronës Shullazit për të përfunduar gjithë problemet e pronësisë. Kësisoj, pasi ato u zgjidhën, rezultoi se në dhjetor 2014, Beqja në cilësinë e administratorit të “Saudi Brothers” i ka dhuruar Emiljano Shullazit “në shenjë mirënjohjeje” 749 metra katrorë truall brenda sipërfaqes ku ndodhet ish-hotel “Vollga”.
Por pas kësaj kontrate dhe depozitimit të saj në Hipotekën e Durrësit, sipas biznesmenit, Shullazi dhe njerëzit e tij kanë kërkuar më shumë. Më konkretisht, ata i kanë kërkuar Ylvi Beqajt rritjen e fitimit të Shullazit në 30 për qind të pronës. Pasi sipërmarrësi nuk ka pranuar, ai është përballur me kërcënime verbale e fizike për gati dy vjet. Referuar dëshmisë së dhënë nga biznesmeni Ylvi Beqja, ai është detyruar të jepte 550 mijë euro në total, pasi nuk pranoi që të jepte 30 për qind të pronësisë së ish-hotel “Vollgës” në Durrës.