Renditja e UEFA-s, Reali e La Liga dominim në 2017

Në përfundim të vitit kalendarit 2017, Reali i Madridit është skuadra që kryeson renditjen e UEFA. Skuadra dy herë kampione e botës në dy vitet e fundit ka koeficientin më të lartë, duke lënë pas rivalët e Barcelonës. Në vendin e tretë pozicionohet Bayern Munchen që thyen hegjemoninë e spanjollëve, duke lënë në vendin e katërt, Atletico Madrid. E pesta, dhe skuadra e parë nga Seria A italiane është Juventusi, që ka lënë pas Paris Saint Germain, Sevilla e Manchester City. Dhjetë vendet e para plotësohen nga Borussia Dortmund dhe Benfica.
Ndërkohë, kampionati spanjoll kryeson klasifikimin special të ligave europiane, që përllogariten në bazë të koeficientit për pesë vitet e fundit. La Liga ndodhet përpara Premier League, me Serinë A që plotëson podiumin virtual, ndërsa Bundesligën gjermane që pozicionohet e katërta. Asnjë ndryshim për Kategorinë Superiore që mbetet në vendin e 34-t në nivel kontinental, duke lënë pas ligat e Islandës, Hungarisë, Maqedonisë e Finlandës. Mbyll renditjen speciale Kosova, me vendin e 55-të. Superliga kosovare është mbrapa kampionateve në Gjibraltar, Andorrë e San Marino, prej faktit se është njohur vetëm prej një viti dhe nuk mund të përfshihet në përllogaritjen 5-vjeçare të UEFA-s.