Radhë kilometrike për kolaudimin e makinave, revoltohen qytetarët

Bashkë me festat e fundvitit, për shoferët vjen edhe makthi i përvitshëm i kolaudimit të makinave. Në pikën e kolaudimit të automjeteve në Fushë-Prezë, radha arriti deri në dy kilometra. “Që në orën 2:30 të natës kam ardhur këtu…”, shprehet një drejtues mjeti.
“Në 10 e 37 minuta kam qenë në radhë, edhe duan të na largojnë. I marrim në telefon, thonë s’ka prenotim. Si s’paska prenotim, thotë janë blloku. Kolaudimin e kemi sot, ku të shkojmë ne mo vlla? Kam ardhur qysh dje edhe kam pre taksat. Kam ardhur sot prapë në 4 të mëngjesit. Jemi fut në radhë atje përtej, ka ardhur policia edhe na ka nxjerrë”, shprehen qytetarët.
Ndërsa punonjësit e kompanisë jashtë kamerave e pranojnë këtë situatë, por thonë se prioritet kanë ata qytetarë që e kanë rezervuar online kolaudimin, ndërsa të tjerët do t’ju duhet të presin radhën.
Por jo të gjithë qytetarët kanë akses në internet apo janë në gjendje të përdorin kompjuterin për të rezervuar orarin e kolaudimit. Megjithatë, prej afro dy javësh, rezervimet online janë të bllokuara, ndërkohë që afati i fundit për kolaudimin e makinave është data 31 dhjetor, më pas të gjitha këto makina që presin në radhë do të të duhet të paguajnë përsëri taksën e automjetit.