Ndahet nga jeta mjeku i mirënjohur Arben Runa

Mjeku i mirënjohur i Spitalit Ushtarak, ortopedi Arben Runa ka ndërruar jetë, pasi ka luftuar prej vitesh me sëmundjen. Prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë, por dje nuk ja ka dalë dot më.
Arben Runa ishte një mjek i talentuar, një poet dhe rrëfimtar i rrallë dhe një njeri i mençur që diti ta bëjë siç donte jetën e tij. Arben Runa u diplomua për kirurg traumatolog dhe shërbeu deri në fund si kirurg pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ai kishte po ashtu plot pasione për letërsinë dhe është autor i disa cikleve të arrira poetike tregimeve dhe reportazheve botuar në vitet ‘90.
Arben Runa u lind në Nivicë, Tepelenë më 31 janar 1960 si një pasardhës i denjë i familjes së madhe Runa.
Ulsi Runa është mësuesi i njohur i Nivicës, i cili ka dhënë kontributin për arsimin shqip deri në Kosovë në vitin 1945-1948.
Arbeni mbaroi arsimin e mesëm mjekësor në Vlorë dhe pas një ndërprerje disa vjeçare, për shkak të problemeve biografike, arriti të fitojë të drejtën e studimit në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1984. Ai mbaroi fakultetin me rezultate shumë të mira, dhe pas një periudhe stazhi si mjek në Spitialin e Tepelenës dhe zonat përreth, ai u rikthye në Tiranë për specializim, në degën e Traumatologjisë.
Prej vitit 1993, ai punoi si mjek pranë klinikës mjekësore qeveritare, detyrë që e vazhdoi deri në vitin 2005.
Në vitin 2005, ai u emërua nëndrejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor ku qëndroi deri në vitin 2007.
Më pas, ai drejtoi për tri vite një spital privat në Durrës për t’u kthyer më në fund në Spitalin Ushtarak si kirurg në vitin 2010, ku kishte dhe ëndrrën e tij.
Arbeni përveç mjekësisë, kishte një pasion të madh letërsinë dhe publicistikën. Qysh kur ka qenë student, ai ka botuar një numur ciklesh me poezi dhe tregime kryesisht në gazetat “Studenti” dhe “Zëri i Rinisë” dhe më pas herë pas here reportazhe dhe artikuj publicistikë në gazetat e pas vitit 1990 kryesisht në gazetën “Tema”.
Ai ka pasur një familje të mrekullueshme me Adën prej vitit 1992 dhe kanë dy fëmijë Bjornin dhe Fionën, të cilët po shkollohen në Kanada, falë vullnetit të tij për të sakrifikuar për arsimin e fëmijëve.