Maskat terror në Sarandë, grabiten 2 pika karburanti

Dy grabitje të njëpasnjëshme kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Sarandës. Dy persona të armatosur dhe me maska janë futur në zyrën ku qëndron shitësi i karburantit dhe nën kërcënimin e armëve i kanë marrë të gjithë xhiron ditore. Më pas, maskat kanë shkuar në një pikë tjetër karburanti, duke marrë edhe këtu lekët e xhiros. Pasi kanë marrë lekët, maskat janë larguar me shpejtësi.
Dy punonjësit e pikave të karburanteve kanë njoftuar menjëherë policinë. Policia tha se njoftimi ka ardhur nga punonjës të karburanteve se në lagjen ‘Nr.1. të qytetit të Sarandës u janë grabitur lekët e xhiros nga persona të maskuar dhe me armë.
Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin, kur dy grabitës me kapuç në kokë rreth orës 06:49 minuta vijnë tek pika e karburantit jo nga rruga, por nga skarpata aty pranë dhe hyjnë tek vendi ku qëndron punonjësi i karburantit dhe paratë që i merr nga shitja e naftës dhe benzinës.
Teksa njëri e kërcënon me armë tip pistoletë, tjetri i afrohet rojes me një thikë dhe nën kërcënimin e tyre e neutralizojnë atë. Duke e mbajtur të mbështetur pas muri, grabitësit zhvillojnë kontrolle të shpejta të sirtarëve, por edhe në xhepin e punëtorit me uniformë.
Teksa zhvillojnë kontrolle, dukshëm të nervozuar, grabitësit godasin me shkelma sirtarët dhe më pas njëri prej tyre, merr një telefon dhe largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pas aksionit, ata rikthehen nga e njëjta rrugë nga erdhën për t’u larguar. Kur erdhën forcat e rendit, grabitësit u zhdukën. Policia pyeti punëtorin e karburantit.
Policia tha se, grabitja ndodhi në lagjen Nr.1 të qytetit, duke grabitur 16.000 lekë të reja në total.
Policia ka ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. “Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë pranë vendit të ngjarjes në lagjen ”Nr.1”, dhe kanë marrë kontakt me shtetasin K.S., 58 vjeç, dhe R.S., të dy punonjës në dy pika të ndryshme karburanti, ku nga verifikimet ka rezultuar se rreth orës 06:00 dhe 06:30, pranë dy pikave të karburantit kanë shkuar dy shtetas ende të paidentifikuar të pajisur me maska e nën kërcënimin e armës së zjarrit u kanë vjedhur shumën e lekëve të xhiros ditore prej 16 000 lekë të reja në total. Policia ka ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Sarandës.
Pas ngjarjes së Sarandës ku grabitësit arritën të marrin xhiron ditore të dy karburanteve një tjetër ngjarje e ngjashme raportohet në Divjakë. Policia e Fierit thotë se i ka arrestuar tre autorët. Tre të rinj kanë grabitur mbrëmjen e shkuar shtëpinë e një 62-vjeçari në Divjakë. Ata ishin maskuar me paruke dhe kapuç dhe ishin armatosur me një thikë.
Policia e Fierit njoftoi se të arrestuarit janë: Olsi Janko, 29 vjeç; Serxhio Duda, 19 vjeç dhe Regist Vodo, 19 vjeç, të tre banues në Divjakë. Atyre iu sekuestruan 5 ora të vjedhura, 4 celularë, një palë paruke, një kapuç, dhe një thikë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë.
Gjatë ditëve të fundit janë shtuar grabitjet nga maskat në të gjithë vendin. Para pak ditësh maskat ushtruan terror në Shkodër dhe Mat, duke grabitur nën kërcënimin e armëve 5 mijë euro dhe një makinë. Katër persona të maskuar sulmuan me armë banesën e familjes Selimi në fshatin Dobraç të Shkodrës, duke marrë një shumë prej rreth 5 mijë eurosh, ndërsa personat që ndodheshin në banesë kanë mbetur të terrorizuar nga grabitësit.
Familjarët bënë të ditur se, grabitësit hynë në oborr të maskuar dhe të armatosur. Fillimisht, ata nën kërcënimin e armëve shtrinë në tokë bashkëshorten e Anton Selimit. E goditën me qytë automatiku pas koke. Më pas u futën në shtëpi dhe terrorizuan gjithë familjen, duke kërkuar ku janë fshehur paratë. Pasi morën 5 mijë euro u larguan me shpejtësi me një makinë tip “Alfa Romeo” ngjyrë gri, e cila qëndronte ndezur në rrugicë.