Kane më i mirë se Henry e Griezman

Hugo Lloris i ka thurur elozhe makinerisë së golave Harry Kane, duke e cilësuar si sulmuesin më të mirë me të cilin ka luajtur. Një kompliment i madh duke konsideruar se kapiteni i Francës ka luajtur përkrah disa prej sulmuesve më të mirë në botë, duke përfshirë Nikolas Anelka, Thierry Henry, Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe.
Portieri 31-vjeçar shihte i mahnitur teksa Kane shënonte një tjetër tripletë në “Wembley” në fitoren 5-2 ndaj Southampton. Sulmuesi i Spurs dhe Anglisë ka thyer rekordin 22-vjeçar të Alan Shearer për golat e shënuar në Premier League brenda një viti kalendarik.
Kur pyetet rreth Kane, gardiani i Spurs Lloris shprehet: “Nuk kam luajtur ndonjëherë me një sulmues që shënon kaq shumë gola brenda një viti. Kam luajtur me shumë sulmues të nivelit të lartë dhe ai me shumë mundësi është më i miri. Ai meriton të gjitha komplimentet për momentin. Por pjesa më e vështirë e sezonit fillon tani dhe ai duhet ta ruajë këtë formë.
Por me mentalitetin dhe kualitetin e tij nuk kam dyshime se ai do ta bëjë këtë. Ai është një nga më të mirët dhe ai do të vazhdojë ta tregojë këtë. Ai ka shumë besim në vetvete. Në futboll gjithmonë kur ka rekorde ti kërkon t’i thyesh”.
Në historinë e Premier League askush nuk i është afruar më shumë golave të shënuar nga Alan Shearer, i cili ka shënuar 260 herë me fanellën e Southampton, Blackburn Rovers dhe Newcastle.
Harry Kane mund të jetë njeriu që do ta kapë një ditë. Por ditën e martë ai ka thyer rekordin e golave të shënuar brenda një viti kalendarik me një tripletë ndaj Southampton.
Teksa të gjithë kanë thurur elozhe për Kane, kishte disa tifozë, sidomos ata të Everton, që kanë shprehur pakënaqësi duke u shprehur se ai nuk ishte rekordi anglez. Dixie Dean e mban atë rekord. Tifozët kanë të drejtë, deri diku, futbolli nuk ka filluar në vitin 1992, vetëm periudha e Premier League ka filluar. Gjithsesi, një vit i shkëlqyer i Harry Kane.