Gatuzo: Dua të fitoj gjithmonë

Mund të jetë ndeshja e kthesës ky derbi i fituar 1-0 ndaj Inter-it në shtesë në Kupën e Italisë për Milan-in e Gattuso-s. “Kjo ishte një ndeshje thelbësore. Kam fituar si futbollist, tani jam një trajner. Nëse mendojmë se kemi zgjidhur problemet sot jemi të çmendur. Ndoshta jam trajneri më skarco i Serisë A, dhe duhet ende të rritem. E dija se çfarë do të kisha përballë, por me punë, dëshirë dhe lodhje do t’ia dilnim. Kjo fitore nuk i zgjidh problemet, por na jep besim dhe na jep mundësinë të punojmë me më shumë qetësi. Do të ketë ende për të vuajtur, por shpresoj vetëm që këta djem të tregojnë diçka”.
Gattuso e di se cilat janë momentet negative: “Fundin qoftë si futbollist, qoftë si trajner e kam prekur disa herë. Por këtu te Milan-i ka gjithçka dhe më takon mua të nxjerr jashtë më të mirën nga futbollistët tanë. Sot nuk kishte shumë diferencë krahasuar me ndeshjen me Atalanta-n apo në 20 minutat e para me Verona-n, problemi është që në vështirësinë e parë dukemi si një bandë muzikore. Gjatë javës punojmë, jemi një skuadër që ka kualitet, por na ka munguar gjithmonë “helmi”. Ndërsa sot ditëm të luftojmë”.