Drama e Neymar: Ai ka qenë momenti më i tmerrshëm

Ëndrra për të qenë protagonisti i Botërorit para publikut të tij është kthyer në një makth. Kjo është ajo që mban mend Neymar nga Kupa e Botës e 2014-ës, e zhvilluar në Brazil. Ai mori një goditje të rëndë në kurriz nga Zuniga, që i shkaktoi atij një dëmtim që ka rrezikuar t’i mbyllë para kohe karrierën. Më pas ka ardhur humbja e pabesueshme kundër Gjermanisë, me pesë herë kampionët e botës që janë turpëruar në shtëpinë e tyre.
“O Ney” është kthyer të flasë për këto makthe në një intervistë të dhënë për ish-shokun e skuadrës te Barcelona, Gerard Pique. “Ai dëmtim ka qenë momenti më i keq i jetës sime, ka thënë Neymar. Në ato ditë kam qarë shumë, kam parë të qajnë prindërit dhe miqtë e mi. Të gjithë familjen time…”.
“Nuk arrija të ngrija këmbët, nuk arrija t’i lëvizja. Doktori më prekte këmbët dhe unë nuk ndieja asgjë. Pas vizitave më tha se do të ecja, por se nuk mund të luaja në Botëror. Nëse goditja do të kishte qenë dy centimetra më anash mund të kisha mbetur i paralizuar”.
Por futbolli i ka dhuruar një tjetër surprizë të keqe: “Disa ditë më vonë kam ndjekur humbjen 7-1 të Brazilit kundër Gjermanisë në gjysmëfinale, por nuk mund të bëja asgjë”. Njolla e fundit që Neymar do të provojë ta fshijë verën e ardhshme, kur do të udhëheqë Brazilin në Botërorin e Rusisë.