Basha: Bashkimi i shqiptarëve për largimin e bandës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në Lezhë se vendi ndodhet në një udhëkryq vendimtar, ku shumica absolute e shqiptarëve të ndershëm po varfërohet dhe po humbet të drejtat nga sundimi i një pakice të kriminalizuar dhe të korruptuar. Basha u shpreh se, Shqipëria sot nuk ka një qeveri dhe kryeministër, por ka një bandë dhe kapobandë, që e ka kthyer vendin në zonë të lirë për krimin dhe po kap drejtësinë për të mos dhënë llogari para saj. Akti antikushtetues i kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm është prova më e qartë, tha Basha në aktivin e Lezhës.
“Efektin e parë të emërimit të Ramës kryeprokuror e patë me kthimin e pasaportës tek Saimir Tahiri. Ky është fillimi i një akti antikushtetues, i cili përqendron pushtetin e drejtësisë në duart e personit që duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe i jep një goditje, ndoshta vdekjeprurëse, Reformës në Drejtësi”, theksoi Kryetari i PD-së.
Lulzim Basha tha se, skandali i Saimir Tahirit, ministrit të Brendshëm që drejtonte trafikun ndërkombëtar të drogës me bekimin e kryeministrit, ka vulosor fatin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
“Prandaj ju them sot, se qeveria e Edi Ramës është e vdekur politikisht dhe ai vetë është një kufomë politike i diskredituar para shqiptarëve, i diskredituar para faktorit ndërkombëtar. Ata që deshën t’i japin një shans të fundit Edi Ramës, shqiptarë dhe të huaj, kanë parë dhe po shohin sa po u kushton kjo”.
Në këtë udhëkryq, kur Shqipëria ndodhet në një krizë politike, ekonomike dhe morale, kreu i Partisë Demokratike ka një mesazh për çdo shqiptar që dëshiron një jetë dinjitoze në Shqipëri.
“Detyra jonë është që të bëjmë bashkimin më të madh të shqiptarëve që nga viti i themelimit tonë, të bëhemi zëdhënësit dhe përçuesit e kësaj shumice absolute të shqiptarëve dhe t’u themi se rrugëdalja nuk është as rënia në depresion, as vetëflijimi, as tragetet, as emigrimi, as avioni, por bashkimi në sheshet e protestës”.
Kryetari i opozitës shpjegoi çfarë synohet me protestat dhe çfarë do të thotë krijimi i një qeverie antimafia.
“T’ia bëjmë të qartë se nuk po e bëjmë këtë që të ikë Edi Rama dhe të vi unë me protestë, apo të jem unë kryetari i qeverisë së përkohshme, jo! Ne kërkojmë largimin e shkaktarit numër një dhe krijimin e kushteve për funksionimin e demokracisë dhe Reformës në Drejtësi. Ndaj kemi parashtruar nevojën për një qeveri antimafia”.
Basha tha se, qeveria antimafia do të garantojë Reformën Zgjedhore, mosprekjen e votës dhe, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, garanton një qeveri që lidh fatin e vet me atë të qytetarëve.