Arrestohet i kërkuari për drogën që u gjet në magazinën e Artur Zotajt

Është arrestuar dje pas 3 muajsh njëri prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Provonik” ku ndër të arrestuarit ishte i vëllai i kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Policia e Beratit informon se në pranga ka rënë Emiljano Hysenbelli, i cili konsiderohet dhe si poseduesi i 19.3 kg lënde narkotike e dyshuar Canabis Sativa.
“Emiliano Hysenbelli, 24 vjeç, banues në Pronovik, Poliçan, i dënuar më parë ishte shpallur në kërkim në datë 22.09.2015, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat me Vendim Nr. 25 ka dhënë për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, pasi dyshohet se është poseduesi i 19.3 kg lënde narkotike e dyshuar Canabis Sativa. Lënda narkotike është gjetur në datë 17.09.2017 në magazinat e shtetasit A.Z, në qytetin e Poliçanit”, informoi sot Policia e Beratit.
Zotkaj atëherë mohoi para Gjykatës që të kishte pasur dijeni për drogën. Së bashku me Artur Zotkajn u ndaluan edhe Kreshnik Hysenebelli, 24 vjeç, banues në Poliçan, Abedin Nurellari, 38 vjeç, banues në Poliçan, Destared Allko, 23 vjeç, banues në Skrapar. Aktualisht hetimet vazhdojnë, ndërsa Zotkaj po hetohet në gjendje arresti shtëpie.