KLSH: Anuloni kontratën për zonën ekonomike të Spitallës

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar anulimin e ofertës fituese të bërë nga Pelikani sh.p.k për zhvillimin e zonës ekonomike Spitallë. Në argumentin e tij KLSH vlerëson se oferta e skualifikuar e kompanisë Edil Al-IT siguronte një përfitim më të lartë ekonomik, por edhe punësim më të madh. Auditimi i posaçëm mbi këtë procedurë të zhvilluar nga ish-Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka ngarkuar me përgjegjësi anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Auditimi i KLSH

“Nga auditimi rezultoi që KVO ka klasifikuar padrejtësisht në vend të dytë Operatorin ekonomik “Ofertuesi 1”, duke sjellë si pasojë:
potencialisht 54 milionë euro investime të munguara (kosto e investimit të “Ofertuesi 1” është rreth 93 milionë euro, ndërsa e bashkimit të operatorëve “Ofertuesi 2” është 39 milionë euro, ose 54 milionë euro më pak);
potencialisht 9,500 vende pune më pak (“Ofertuesi 1” do të punësojë 12,000 punëtorë, ndërsa e bashkimi i operatorëve “Ofertuesi 2”, 2,500 punonjës);
potencialisht të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit, nga mosrealizimi i kontributeve për pagesën e sigurimeve shoqërore vetëm për 1 vit për shumën 718 milionë lekë (6,300 x 9,500 x 12); dhe së fundmi
Risqe të shtuara për ndotjen mjedisore (“Ofertuesi 1” do të investojë në magazina doganore, qendra biznesi, etj; ndërsa bashkimi i operatorëve “Ofertuesi 2”, midis të tjerash do të investojë edhe në ndërtimin e një fabrike ferrokromi, me impakt të lartë mjedisor).
Sa më sipër, KLSH ka rekomanduar marrjen e masave për anulimin e shpalljes fitues të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Ofertuesi 2”, pasi nga auditimi ka rezultuar që si fitues duhet të ishte shpallur operatori tjetër ekonomik “Ofertuesi 1” në ofertën e të cilit parashikohej një investim prej 54 milionë euro dhe punësimi i 9,500 punonjësve më tepër se bashkimi i operatorëve i klasifikuar në mënyrë të padrejtë në vend të parë”, vlerëson KLSH.