Burri i hedh benzinë vetes për t’u djegur në Bashkinë e Tiranës

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Bashkinë e Tiranës paraditen e djeshme. Një person i paidentifikuar hyri në derën e institucionit me një shishe benzinë në dorë, duke tentuar t’i vërë flakën vetes. Në momentin që personi hodhi benzinën mbi trupin e tij, ndërhynë punonjësit e Bashkisë dhe policët bashkiakë për ta ndalur.
Fatmirësisht ndërhyrja ishte në kohë dhe burri nuk ka mundur ta ndezë flakën. Fotot tregojnë momentin kur policët e kanë kapur personin që tentoi të digjej dhe po e shoqërojnë për në komisariat.
Ndërkohë, një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme edhe në Berat. Burrë e grua kanë përfunduar në Spitalin e Beratit me djegie të mëdha në trup. Ngjarja ka ndodhur në Berat, ku një 43-vjeçare me inicialet T.M i ka vënë flakën vetes, duke tentuar të vetëdigjet me benzinë. Sapo ka konstatuar këtë gjë, bashkëshorti i saj 49-vjeçar G.S, ka tentuar të shuajë flakët, por është djegur edhe vetë.
Menjëherë, bashkëshortët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit për të marrë mjekimin e nevojshëm, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në dëshmitë e para, familjarët e çiftit, thonë se 43-vjeçarja vuan nga depresioni.