Bilanc tragjik nga aksidentet, 215 të vdekur e 357 të plagosur

Të paktën 215 persona kanë humbur jetën dhe 357 janë plagosur nga aksidentet rrugore në vend gjatë 11 muajve të këtij viti. Kjo shifër, sipas specialistëve të Policisë Rrugore në vend është afërsisht 17% më e ulët se viti i kaluar. Gjithsesi, Shqipëria vijon të ketë një prevalencë të lartë të humbjes së jetës prej aksidenteve rrugore.
Shkaqet kryesore të aksidenteve janë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, shpejtësia e madhe përtej kufijve të lejuar, etj. Rritja e numrit të aksidenteve me pasojë jetën gjatë viteve të fundit është bërë aq shqetësuese sa në verë në periudhën kur kthehen dhe emigrantët në atdhe, ka patur pothuajse çdo ditë aksidente me vdekje.
Pjesa më e madhe e jetëve të humbura më shumë se 93 persona ose 56 për qind e atyre që vdiqën ishin të rinj të moshës deri në 35 vjeç. Vetëm në muajin shtator 2017 numërohen 172 aksidente rrugore nga 191 aksidente të ndodhur në shtator 2016. Në krahasim me shtator 2016, numri i aksidenteve është ulur me 9,9%.
Numri i të aksidentuarve është 215 persona nga 265 që ishte një vit më parë, për të njëjtën periudhë. Në nëntëmujorin 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 5,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i personave të plagosur gjatë muajit shtator 2017 është 197 nga 246 persona të plagosur në shtator 2016. Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 5,8%.
Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç, duke zënë 31,4% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u rritur me 5,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Aksidentet rrugore, të cilat kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit zënë 81,3% të rasteve. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç, duke zëne 28,0% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 3,9% me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Si shpjegohet ky numër i lartë aksidentesh? Së pari, tek ne ndodh një fenomen që në vendet perëndimore as që mund të mendohet. Me dëshmi drejtimi automjeti mund të pajiset kushdo me një kurs 50 ditor, a thua se është i mjaftueshëm. Në raste kur ndonjë nuk arrin të kalojë testin boll që të paguajë dhe menjëherë bëhet drejtues automjeti. Eliminimi i një fenomeni të tillë do të ulte numrin e aksidenteve, pasi personat që nuk kanë aftësi drejtuese nuk do të ishin përdorues të rrugës, si rezultat rrugët tona do të ishin më të sigurta. Një shkak tjetër i rëndësishëm që ndikon në numrin e lartë të aksidenteve është dhe niveli i sigurisë që ofrojnë rrugët tona. Klasifikimi dhe mënyra e menaxhimit që duhet të ketë një rrugë, janë të përcaktuara qartë në Ligjin nr. 8378, dt. 22.7.1998.
Periudha e festave të fundvitit që shoqërohet me ngarkesë në akset rrugore të vendit ka sjellë shpesh pasoja tragjike. Për t’i paraprirë kësaj situate, Policia e Shtetit thotë se. po zbaton një plan masash me kontrolle rigoroze në të gjithë vendin.
Periudha e festave të fundvitit që shoqërohet me ngarkesë në akset rrugore të vendit ka sjellë shpesh pasoja tragjike. Për t’i paraprirë kësaj situate, Policia e Shtetit thotë se po zbaton një plan masash me kontrolle rigoroze në të gjithë vendin.
Nuk pritet të ketë tolerime sa i përket konsumimit të alkoolit dhe kontrollet me dragera pritet të jenë të rrepta. “Përdorni mjetet e transportit publik. Apeli është që të mos konsumoni shkelje rrugore gjatë këtyre ditëve festive. Policia Rrugore e Tiranës do të jetë në gatishmëri për të garantuar sigurinë në rrugë. Do të ketë kontrolle me dragera”.
Policia Rrugore pritet të kalojë situatë të përforcuar gjatë periudhës së fundvitit. Patrullat e qarkullimit pritet të mbështeten edhe nga shërbimet e rendit, si dhe nga ato të FNSH-së që do të instalohen në qytete.

Vetëm ditën e djeshme 8 aksidente rrugore, 2 të vdekur e 9 të plagosur

Aksidentet rrugore janë kthyer në një tmerr për shqiptarët. Vetëm ditën e djeshme kanë ndodhur 8 aksidente rrugore me dy të vdekur dhe 9 të plagosur. Një aksident me vdekje ka ndodhur në një fshat të Beratit.
Nipi 5 vjeç ka përplasur për vdekje gjyshen e tij, 52 vjeçe duke i marrë jetën. Aksidenti ka ndodhur në fshatin Pobrat të Beratit, ku 52-vjeçarja ka ndërruar jetë, pasi u përplas nga një makinë tip “Benz”. Me këtë makinë ishte duke lëvizur nga parkimi një fëmijë 5-vjeç.
Një 40-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi u përplas nga një makinë në rrugën “Konferenca e Pezëz”, në Misto Mame. Policia informon se, mjeti me targë AA 200 PX, me drejtues Enjo Dani, 24 vjeç, ka aksidentuar këmbësoren E.B, rreth 40 vjeç”.
Aksidenti u shënua rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, ndërsa 40-vjeçarja u transportua për në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në rrugën Durrës-Kavajë. Mësohet se në aksident janë përfshirë 4 automjete dhe si pasojë janë plagosur 4 persona. Bëhet e ditur se, se njëra prej makinave është dëmtuar shumë, ndërsa nuk dihet ende gjendja shëndetësore e të plagosurve, të cilët ndodhen në spital. Policia ka mbërritur në vendngjarje për zbardhjen e shkaqeve.
Një 32-vjeçar në Lushnje është arrestuar nga policia, pasi ka aksidetuar me mjetin e tij një person që po lëvizte me biçikletë. Ngjarja ka ndodhur të martën, 26 dhjetor 2017, në fshatin Mërtish. Sipas policisë, “Alban Pashaj, duke drejtuar mjetin tip “Golf”, ka aksidentuar shtetasin Gj.P, 49 vjeç, banues në fshatin Këmishtaj, i cili udhëtonte me biçikletë”. Ky i fundit është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por si pasojë e plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë në spital.
Një aksident që mund të rezultonte fatal, por që fatmirësisht la pas vetëm një të lënduar lehtë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Një kamion i tonazhit të rëndë me targa AA R 618 doli nga rruga në aksin Fushë Krujë-Rinas.
Drejtuesi i mjetit, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur udhëtonte i vetëm dhe besohet se humbi kontrollin e mjetit pasi e kishte zënë gjumi në timon. Mjeti përfundoi në anë të rrugës dhe drejtuesi i tij mbeti i plagosur. Ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Qendrën Shëndetësore të Vorës. Policia tha se, ka nisur hetimet për sqarimin e shkaqeve të aksidentit.
Një 64-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Matit për shkaktimin e një aksidenti në gjendje të dehur. I arrestuari është Skënder. Gj, banues në lagjen nr. 11 Durrës. Policia thotë se, “arrestimi i tij u bë, pasi rreth orës 18:00 në aksin rrugor Burrel-Skuraj në vendin e quajtur “Qafa e kongrazhdit”, duke drejtuar mjetin tip “Benz” me targa DR 7585 C, në ndikimin e alkoolit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me mjetin tip “Honda”, me drejtues shtetasin S.D, 33 vjeç, banues në Mat, dhe si pasojë ka marrë dëmtime të lehta pasagjeri P.S, 53 vjeç, banues në Mat”.