Ballina Sport Tronditet Juventus

Tronditet Juventus

Mariano Dybala, vëllai dhe përfaqësuesi i Paulo, lojtarit yll të Juventusit, ka kontribuar me deklaratën e tij të fundit për të kaluar Dybala tek PSG. Sipas “Il Corriere della Sera”, Mariano Dybala udhëtoi kohët e fundit në Paris, ku do të takohej me udhëheqësit e PSG-së, të cilët po përgatiten për skenarin e largimit të Neymar drejt “Santiago Bernabeu” dhe pasjen gati të zëvendësuesit të tij. Dhe, sipas mediave të lartpërmendura, kur u kthye në Torino, Mariano i tha Paulo Dybala se, “Neymar do të shkojë te Real Madridi dhe ju do ta zëvendësoni atë te PSG-ja”. Juventusi, duke pasur njohuri për këto fjalë, është përpjekur të intensifikojë kontaktet me yllin e vet argjentinas për të nënshkruar një marrëveshje të re.
Paulo Dybala vijon t’i nisë takimet nga stoli, ndërsa duket qartë se është ende larg formës së mirë të fillim sezonit. Ylli argjentinas i Juventusit nuk preferohet më nga minuta e parë, nga trajneri Alegri dhe mediat italiane duket se e kanë një shpjegim edhe për këtë. Sipas tyre, që prej kohës që menaxher i Dybalës u bë i vëllai, Mariano, gjërat për yllin argjentinas kanë ndryshuar. Gjithçka lidhet me një udhëtim në Paris të Marianos, ku ka takuar drejtuesit e PSG-së dhe u ka ofruar shërbimet e të vëllait për verën e ardhshme, duke u dhënë garancinë se transferimi mund të kryhet pa komplikime.
Që nga ajo periudhë, stafi teknik i bardhezinjve pretendon se edhe mënyra e stërvitjes së Dybalës ka ndryshuar shumë, duke bërë që të humbë formën e mirë të fillimit, por edhe besimin e Alegrit.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri, kërkoi nga Paulo Dybala që të ofrojë më shumë produkt, teksa sulmuesi përgatitet për të qenë titullar për herë të parë në tri ndeshjet e fundit. Dybala u ul në stol kundër Interit dhe Bolonjës, por do të kthehet në 11-she për ndeshjen e Kupës së Italisë me Genoa, të mërkurën. 24-vjeçari ka shënuar 12 herë në Serinë A, këtë sezon, tashmë një gol më shumë se sa ka arritur në “mandatin” e kaluar, megjithëse ka realizuar vetëm një herë në 10 paraqitjet e tij të fundit. Skuadrës bardhezi do t’i ribashkohen për këtë ndeshje edhe Giorgio Chiellini me Stephan Lichtsteiner, ndërsa Gianluigi Buffon, Mario Mandzukiç dhe Juan Cuadrado janë të mënjanuar.
“Dybala është një lojtar i aftë për 15 deri në 20 gola në kampionat. Kur të arrijë 20 gola, atëherë do të ketë bërë shumë, tha Alegri në konferencën e tij të parandeshjes. Dhe karakteristikat e tij shkojnë përtej kësaj. Ashtu si të tjerët, Paulo është një lojtar inteligjent, që e di se përpara kemi një lojë të rëndësishme për të dhe për Juventusin. Ne kemi pasur një sistem të ndryshëm të lojës në ndeshjet e fundit. Kur luan Paulo, ne duhet të shfrytëzojmë karakteristikat që ai ka”.
Alegri tha se do të duhet të vendosë nëse do të luajë Dybala si një qendër e vetme përpara, apo do ta ndajë atë rol me Gonzalo Higuain. Marko Pjaca është gjithashtu një opsion, sepse ka një rikthim të suksesshëm nga një dëmtim afatgjatë në gjunjë. Ai ishte në stol, në fitoren e fundjavës së kaluar ndaj Bolonjës.

Exit mobile version