“Më shumë se kurrë!”

Sergio Ramos theksoi rëndësinë e “El Classico”-s së radhës, duke këmbëngulur që kampionët në fuqi të La Liga-s, Real Madridi, është “i detyruar të fitojë tani më shumë se kurrë”, pasi Barcelona vazhdon të vendosë ritmin në Spanjë. “Los Blancos” e presin Barcelonën në “Santiago Bernabeu” të shtunën, me vizitorët katalanas, që janë 11 pikë larg kampionëve spanjollë dhe europianë. Skuadra e Sergio Ramos ka edhe një lojë në dorë, megjithëse kapiteni i kupton pasojat e humbjes së të tijve. “Do të jetë një ndeshje e shkëlqyer, tha Ramos në një ngjarje sponsorizimi të martën. Nuk ka fjalë për ta përshkruar këtë klasike. Është krejtësisht ndryshe dhe ndeshja më e rëndësishme në botë. Ne jemi të detyruar të fitojmë tani, më shumë se kurrë, për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, në mënyrë që të mbetemi në luftë për titullin e La Liga-s”.
Real Madridi vjen në këtë ndeshje në formë të mirë, pasi fitoi Botërorin për Klube, me një gol fitues të Cristian Ronaldos kundër Gremios. Ramos është shpresëplotë se ky triumf do të jetë nxitje për fitore edhe këtë fundjavë: “Ne kemi ardhur në formë të mirë pas fitores së Botërorit për Klube, çka i përshtatet ekipit edhe në një nivel psikologjik. Jemi të etur për të luajtur dhe kemi punuar shumë gjatë kësaj jave, kështu që shpresojmë se mund të marrim tri pikët, që do të na lejojnë për të qëndruar afër atyre ekipeve përpara nesh”.
El Clasico është një nga eventet sportive më të ndjekur në të gjithë botën. Më shumë se 100 vende anembanë globit janë në pritje të përballjes më spektakolare të kampionatit spanjoll Real Madrid–Barcelona, ku në fushë do të zbresin futbollistë nga katër kontinente. Më konkretisht, të dy gjigantët e futbollit spanjoll kanë në përbërje 38 futbollistë europianë, 7 nga Amerika e Jugut, një nga Amerika e Veriut dhe një tjetër nga Afrika.
Janë plot 47 lojtarë të federuar nga Reali dhe Barça që vijnë nga 14 vende të ndryshme. Sigurisht që Spanja përfaqësohet me më shumë elementë, 20. Franca përfaqësohet me 6 lojtarë, Varane, Theo, Benzema, Umtiti, Digne dhe Dembélé. Më pas vjen Brazili me nga dy përfaqësues për çdo ekip: Marcelo dhe Casemiro te “Los Blancos” dhe Paulinho e Rafinha te “Blaugranat”. Ndjekin me nga tre Kroacia (Modriç, Kovaçiç dhe Rakitiç) dhe Portugalia (Ronaldo, Semedo dhe André Gomes). Me nga dy përfaqësues si Gjermania (Kroos dhe Ter Stegen) dhe Argjentina (Mascherano dhe Messi). Në fund me nga një futbollist përfaqësohen Turqia (Arda Turan), Uruguaj (Luis Suárez), Kosta Rika (Keylor Navas), Maroku (Achraf), Uellsi (Bale), Belgjika (Vermaelen) dhe Holanda (Cillessen).
Reali numëron lojtarë me 9 kombësi të ndryshme, ndërsa te Barça futbollistët vijnë nga 11 vende. “Los Blancos” përfaqësojnë 4 kontinente të ndryshme, ndërsa Barça ka lojtarë vetëm nga Europa dhe Amerika e Jugut. Në të dy ekipet ka lojtarë spanjollë, francezë, brazilianë, kroatë, portugezë dhe gjermanë.