Interi dhe Icardi punojnë për rinovimin e kontratës

Interi dhe Wanda Nara, bashkëshortja menaxhere e Mauro Icardit, po punojnë për rinovimin e kontratës së sulmuesit. Argjentinasi është i lidhur me zikaltrit deri në verën e vitit 2021, ndërsa klauzola e largimit është paracaktuar të jetë 110 milionë euro dhe vlen vetëm për klubet jo-italiane.
Duke parë formën e mirë të kapitenit zikaltër (17 gola në 17 ndeshje), por edhe interesin e shumë klubeve europiane, drejtuesit e Interit janë vënë në lëvizje për të rinovuar kontratën aktuale. Sipas mediave pranë zikaltërve, Wanda Nara ka kërkuar një pagë prej 7.5 milionë eurosh për Icardin dhe rritjen e klauzolës deri në 130 milionë euro, për të rinovuar deri në vitin 2023.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Interit i kanë ofruar 7 milionë euro pagë vjetore, por këmbëngulin për një klauzolë prej 200 milionë eurosh, për të shmangur ndonjë operacion blic të klubeve europiane.
Gjithsesi, pas bisedimeve të para, palët kanë mbetur të kënaqura dhe në fillim të vitit pritet të sheshohen edhe detajet e mbetura, për të zyrtarizuar më pas kontratën e re, që do të lidhë Icardin me Interin deri në vitin 2023.