Fuqizimi i narkotrafikantëve me Ramën

Lorenzo BAGNOLI

Në Shqipëri, ish-ministri i Brendshëm u përjashtua nga partia e tij dhe rrezikon të përfundojë në burg, pasi akuzohet se ka bashkëpunuar me një grup trafikantësh që furnizonin Cosa Nostra-n në Siçilinë Juglindore. Një histori që në Itali po hetohet, por që në Tiranë rrezikon t’i kushtojë shumë shtrenjtë. Është hetimi i vitit, një tërmet i shkaktuar ngaqë dikush në Katania, ka bërë detyrën si gazetar.
Çështja shpërtheu në mesin e tetorit, një periudhë veçanërisht frenetike për Guardia di Finanzan nën hijen e Etnës. Janë ditët kur financiarët zbulojnë edhe një trafik nafte që nga Katania shkon deri në Maltë. Operacioni Rosa dei Venti çoi në burg 11 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, trafik armësh (kallashnikov), korrupsion funksionarësh të lartë doganash në Itali e Shqipëri. Në mesin e dhjetorit u mbyllën hetimet paraprake për 15 të hetuar.
Financierët e Katanias kanë sekuestruar, që nga viti 2013, 3500 kilogramë marijuanë të destinuar për Katania, Sirakuza e Raguza. Fitimi i vlerësuar nga këto ngarkesa ishte 20 milionë euro. Familjet Ercolano-Santapaola e Cappello janë bërë më të fuqishme, edhe falë marijuanës shqiptare. Droga e drejtuar për në Sicili arrinte përmes anijeve të peshkimit, ndërsa në Shqipëri grupi kriminal nuk i druhej kontrolleve të policisë.
Mafia shqiptare konsiderohet nga Europol-i si organizata kriminale që është rritur më tepër kohët e fundit, duke arritur një rrezikshmëri të krahasueshme me atë të organizatave kriminale italiane. Ka ndryshuar partner, nisur që nga 2012. Aleanca përherë bëhen më të ngushta me Siçilinë, duke kapërcyer Puglian. Tani që ‘Ndrangheta ka plantacionet e saj në Sila, blerësit e saj janë sidomos nga Siçilia Juglindore.
Në 416 faqet e dosjes hetimore të ‘Rosa dei Venti’ është një emër, i pahetuar, që shfaqet rreth dhjetë herë: “Saimir Tahiri, politikan”. Në redaksinë kataneze të MeridioNews kontaktojnë një koleg shqiptar të “Top Channel”, tv privat me të cilin kanë punuar më parë. Është fundi i botës:
Një histori kronike gjyqësore shpërthen në Parlament në Tiranë. Shumica e qendrës së majtë refuzon mocionin për arrestimin, por imuniteti hiqet pjesërisht. Gjykata për Krime të Rënda mund të vazhdojë hetimin. Delfini i kryeministrit socialist Edi Rama, një javë më pas përjashtohet nga partia e tij. Më 13 dhjetor i bllokohet pasaporta. “Kërkesa e Prokurorisë, por edhe vendimi i Gjykatës, është qesharake. Nuk është paraqitur asnjë element i ri që mund ta përligjë”, deklaroi për median shqiptare Maksim Haxhia, avokati i Tahirit. Pavarësisht kësaj, provat e grumbulluara në Katania nuk janë të mjaftueshme që të përndiqet në Itali.
Lajmi i arrestimit të vëllezërve Habilaj ishte ende i freskët, kur Tahiri iu adresua Parlamentit shqiptar për të thënë se gabimi i tij i vetëm ishte shitja e makinës së tij, një “Audi A8”, këtij kushëriri të largët, Artan Habilaj. Dy vëllezërit e tij, Moisiu (i vetmi i hetuar) e Floriani, nga hetime rezultojnë pjesë e grupit të trafikantëve. Sipas Guardias së Katanias, Moisiu është kapoja i padiskutuar i grupit.
Janë përgjimet ato që vënë në telashe ish-ministrin. Florian e Moisi Habilaj, për shembull, në një bisedë të marsit 2014 diskutojnë borxhet që u kanë bashkëpunëtorëve: “30 duhet t’ia çoj Saimirit”, thonë. Sipas hetuesve, e kanë fjalën për 30 mijë euro që i detyrohen pikërisht ministrit të Brendshëm. Në një tjetër bisedë përmendin dy byzylykë për t’ia çuar “gruas së Saimirit”, fjalë prapa të cilëve duhet të jetë sërish politikani shqiptar.
Materiali është aq i rëndësishëm sa që në Tiranë, Gjykata e Krimeve të Rënda hap një dosje për bandën e Habilajve e për Tahirin. Emrat e vëllezërve janë të njohur prej kohësh për drejtësinë shqiptare. Saimir Tahiri, më 5 nëntor 2013, lexohet në hetimin shqiptar, i ka shitur makinën e tij “personit nën hetim (jo në Itali) Artan Habilaj, vëllai i të arrestuarit Moisi Habilaj”. Në datat 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014, vazhdon teksti, Saimir Tahiri udhëtonte ende me atë makinë, i shoqëruar nga Artan Habilaj. Hipoteza investigative është që bënte pjesë në kartelin kriminal.
Në fillim të nëntorit, hetimi shqiptar pati një tjetër zhvillim. Në Elbasan, një sipërmarrës nuk ndalon për kontroll në postbllokun e policisë. Policia e ndjek dhe e kap, i kontrollon makinën. Aty gjejnë 863 mijë euro dhe dy patenta detare në emër të Saimir Tahirit. Makina i përket Orest Sotës, me të cilin familja Tahiri ka marrëdhënie prej kohësh. Dyshimi i hetuesve është që paratë i përkasin pikërisht Tahirit. Publikisht, ish-ministri mohon të ketë ndonjë anije. Kundërshtari kryesor politik i kryeministrit Edi Rama, numri një i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se sipërmarrësi dhe ish-ministri kanë udhëtuar disa herë bashkë në Itali. “Tahiri e Sota përdorin e trafikojnë drogë dhe po kërkojnë vazhdimisht të fshehin provat për ta”, thotë Basha.
Ish-ministri, ishte delfini i Ramës, kryetar i Partisë Socialiste. Por kryeministri nuk mundi t’i jepte ndonjë detyrë në qeverinë e re. Në mars, Tahiri u akuzua se qëndronte pranë trafikantëve dhe policëve “të devijuar”. Zëra që shfaqen që më 2015, kur polici Dritan Zagani, sot refugjat politik në Zvicër, e akuzoi i pari se kishte marrëdhënie me kriminelët kryesorë të Shqipërisë. Ishte ende ministër i Brendshëm, midis 2014 e 2015.
E megjithatë Tahiri në fillim të mandatit i kishte deklaruar luftë “Kanabistanit”, zonës së Lazaratit që ishte ndër qendrat e prodhimit të marijuanës në Evropë. E gjithë ekonomia lokale edhe sot bazohet mbi narkotrafikun: jetohet me pak në atë zonë të vendit. “Ironia e fatit është që sot që asgjësojmë më tepër duket sikur ka më tepër marijuanë. Faktet thonë që, fenomeni ekzistonte që më parë”, deklaronte në nëntor 2016 ish-ministri në një intervistë me “Il Fatto Quotidiano”. Që në fillim në fakt u kuptua që gjithë ai përqendrim forcash nuk e kishte ndaluar fluksin e drogës (marijuanë e heroinë) drejt Evropës.
Në mars 2016, deputeti Arben Ristani deklaroi në median shqiptare se vëllezërit Habilaj, falë marrëdhënies me Tahirin, kishin krijuar kontakte mes ministrit të atëhershëm dhe Klement Balilit, “Pablo Escobari i Ballkanit”. Balili është i pakapshmi i trafikantëve shqiptarë, megjithëse për të ka një mandat arresti ndërkombëtar që nga maji 2016: në më pak se dy vjet akuzohet se ka transportuar rreth 4 tonë kanabis e 83 kilogramë kokainë.
Më 9 maj 2016, një operacion i rëndësishëm i policisë greke çon në sekuestrimin e 670 kilogramëve marijuanë dhe në arrestimin e 15 personave, anëtarë të një prej grupeve kryesore të narkotrafikut në Evropë. Kapoja i tyre, sipas hetuesve, ishte Klement Balili, në atë kohë ende drejtor Transporti në Sarandë. Një detyrë politike e marrë më 2014, kur në qeveri ishte pikërisht Tahiri si ministër i Brendshëm. Balili e humbi detyrën vetëm një javë pas operacionit dhe që atëherë është në arrati. Më 13 maj, policia shqiptare nuk arriti ta gjente dhe më 17, Interpol nxori një mandat arresti ndërkombëtar. Media greke akuzon policinë shqiptare se nuk e arrestoi Balilin për shkak të lidhjeve me politikën.
Vetëm 18 muaj më pas, në Sarandë, ku mbretëron spekulimi ndërtimor që kutërbon erë pastrimi parash, autoritetet shqiptare sekuestruan disa apartamente që i përkisnin Escobarit të Ballkanit dhe një resort luksoz, Santa Quaranta. Në prerjen e shiritit të inaugurimit ishin koka të rëndësishme të politikës.
Ndërkaq, mafia shqiptare është rritur.

“The Vision”