Ballina Aktualitet Bosi shqiptar i drogës arrestohet në Spanjë

Bosi shqiptar i drogës arrestohet në Spanjë

Detaje të reja janë bërë me dije nga mediat spanjolle lidhur me një organizatë të fuqishme droge me bazë në Galicia të Spanjës, që drejtohej nga një shqiptar. Këtë të hënë, disa nga anëtarët janë arrestuar, mes tyre edhe “koka” e organizatës.
Media spanjolle “ABC” raporton se në krye të kësaj organizatë ishte shqiptari me iniciale V.V., 39 vjeç. Ai përshkruhet si një i “regjur” në botën e krimit, që është marrë me trafik droge për një kohë të gjatë. V.V., i cili bënte një jetë modeste në qytetin spanjoll Santiago de Compostela, është mes 8 personave të arrestuar deri më tani në kuadër të aksionit të nisur nga “Guardia Civil” në muajin shkurt.
V.V. udhëhoqi një organizatë kriminale e dedikuar në futjen në Galica të narkotikëve për tu rishitur më pas po në Galicia dhe Asturias, një tjetër rajon në Spanjë. Mes të burgosurve është edhe M.F.V., një spanjoll, i cili konsiderohet nga hetuesit “truri” i organizatës. M.F.V., i njohur nga policia spanjolle për precedentët e shumtë në fushën e narkotikëve, ishte nën urdhrat e drejtpërdrejtë të ‘bosit’ shqiptarit.
V.V. kishte pesë persona që punonin drejtpërdrejtë nën urdhrat e tij, që sipas hetimeve ishin përgjegjës për “kërkimin e blerësve të drogës, shpërndarjen, sigurimin e mbështetjes logjistike dhe garantimin e sigurisë për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme”.
Mediat spanjolle shkruajnë se operacioni është në vijim dhe priten të tjera arrestime. Të hënën u konfiskuan 4 kg kokainë, 1.7 kg heroinë dhe 500 gram lëndë që përdorej si përzierës për drogën. Janë sekuestruar edhe dy automjete. Më herët, këtij grupi i janë bërë sekuestrime të tjera droge. Në mars, është sekuestruar 1 kg kokainë dhe një grua është vënë në pranga. Ndërsa në shtator është sekuestruar 1 kg heroinë dhe një burrë është arrestuar.

 

Exit mobile version